Ikën Keçi, Keltis Kruja, Prefekti i ri i Tiranës
TIRANË - Keltis Kruja, është nga sot Prefekti i ri Tiranës dhe më i riu në historikun e drejtuese të qarkut, vetëm 32 vjeç. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Ruzhdi Keçin, i cili u dorëhoq për arsye personale. Prefekti i ri vjen nga strukturat drejtuese të partisë, ku është Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Ndërkohë që ka bërë edhe detyrën e drejtorit të Auditit në Ministrinë e Brendshme. Siç thuhet në faqen zyrtare të PD-së, Kletis Kruja ka lindur në Tiranë në vitin 1979 dhe ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në vitin 2003. Në listat e kandidatëve për deputetë PD-ja e rendiste atë të parafundit (nr.31) për qarkun e Tiranës.
Prefektin e ri e prezantoi sot zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe ish-prefekti i Tiranës, Keçi. Ish-prefekti që mbajti këtë post për 4 vjet, u shpreh se "në kulturën tonë demokratike ngjarje të tilla të ndërrimit të funksioneve janë gjëra normale, dhe këtë ndryshim e kuptoj si një ambicie dhe qëllim të mazhorancës për të përmirësuar dhe dhënë një shtysë më të fuqishme premtimeve që ka mbajtur dhe që padyshim do të realizojë në katër vitet e ardhshme". Ndërsa Poni, shprehu bindjen se "Kruja do të vazhdojë punën me ritme më të larta dhe ambicioze në prefekturën e Tiranës".