“Drejtori i doganës më rrahu për vilën”
• BERAT - “Drejtori i doganës më rrahu pasi nuk lejova që të ndërtonte vilën 4-katëshe pa leje”. Ish-inspektori i Policisë Ndërtimore të Beratit, Roland Bushi ka denoncuar dje një fakt të ndodhur 6 muaj më parë, që sipas tij jo vetëm e la të lënduar, por dhe pa punë. Sipas tij, një konflikt institucional që ai pati me drejtorin Hodo Hasani, shërbeu si motiv për ta larguar nga detyra. Pas arrestimit për korrupsion të ish-drejtorit të doganës së Beratit, ndaj tij janë ngritur akuza të tjera. “E kam denoncuar për shkelje të rregullave të ndërtimit, se po ngrinte një vilë jashtë të gjitha kritereve ligjore. Por denoncimi im mbeti vetëm në letër, pasi nuk e mori njeri përsipër”, pohon ish-inspektori. Ai shton se vila ndodhet në lagjen “Donika Kastrioti”. “Për të penguar këtë ndërtesë të paligjshme dhe të korruptuar unë, në rolin e inspektorit të Policisë Ndërtimore dhe me profesion inxhinier ndërtimi kam shkuar në objektin që po ndërtonte ish-drejtori doganës, Hodo Hasani. Aty i kam kërkuar dokumentacionin përkatës, por në vend të tyre përgjigjja ishte dhuna. Më ka plagosur në krah dhe kam marrë plagë të rënda në trup. Mu përgjigj: Do e ndërtoj vilën dhe askush nuk më ndalon!”. Ish-punonjësi i Ndërtimores thotë se, menjëherë pas kësaj përplasjeje, ish-drejtori i kësaj policie i ka komunikuar shkarkimin nga detyra. “Kjo ndodhi pse unë zbatova ligjet e shtetit tonë. Mua më kanë ofruar 5 milionë lekë të vjetra në shkëmbim të lejes së ndërtimit, por unë nuk i kam pranuar ato sepse isha një personalitet shtetëror dhe përfaqësoja shtetin dhe jo korrupsionin si drejtuesit e mi. Unë nuk e lejova për momentin që të vazhdonin punimet, por peshku i madh e ha të voglin”. Sipas Roland Bushit, ish-drejtor i doganës është shprehur në atë kohë se ka dhënë 6 milionë lekë për ndërtimin e kësaj vile. Pas denoncimit publik ai kërkon që organet e drejtësisë të nisin hetimet dhe për abuzimet e mëparshme të Hasanit. d.xh