Vrasje për gjak në mes të tregut
• Vritet në mes të tregut të qytetit të Shkodrës, 30-vjeçari.SHKODER/ RITVAN DIBRA Në mes të ditës, Ndue Pisha është ekzekutuar për një histori të vjetër gjakmarrjeje, për të cilën doli i pafajshëm. Autori ka ruajtur momentin kur shënjestra e tij, që kishte jetuar disa muaj në Itali, ndodhej vetëm në makinë dhe e ka qëlluar për vdekje. Me armë në brez, Pjetër Drezaj, 32 vjeç është ndaluar në mes të turmës nga policia vetëm 15 minuta më vonë. Të dy personat sipas policisë kishin qenë banorë të fshatit Theth në Dukagjin, ku ndodhi dhe krimi që solli dje viktimën e dytë. NgjarjaSipas informacioneve të marra nga dëshmitarë okularë në vendngjarje si dhe nga efektivë të policisë, mësohet se viktima Ndue Pisha ka qenë duke lëvizur me një automjet fuoristradë “Land-Rover” me targa italiane. Bashkë me 30-vjeçarin, banor aktual i fshatit Grudë, në makinë ndodheshin dhe familjarët e tij. Në një moment, kur ora shënonte 12:00, gruaja dhe fëmijët kanë zbritur nga makina dhe janë futur në një dyqan. Pisha i ka pritur ata i ulur në ndenjësen e shoferit të automjetit. Këtë moment e ka shfrytëzuar 32-vjeçari Drezaj, i cili sapo ka konstatuar largimin e familjarëve të Pishës, është afruar në drejtim të tij. I maskuar me një skafandër në kokë ka nxjerrë pistoletën që mbante me vete dhe ka shtënë katër herë mbi të. Pas kësaj ai është larguar i qetë për disa metra nga vendi i ngjarjes dhe më pas ka rendur nëpër një rrugicë që shkon drejt shkollës “Jordan Misja”. Por arratia e autorit ka zgjatur vetëm 15 minuta pasi efektivat e policisë së Komisariatit të Shkodrës kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e tij. Mësohet se autori e ka mbajtur armën e krimit me vete deri në momentin që është ndaluar nga policia. Ndërkohë që 30-vjeçari Pisha është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit. Por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra. Burimet policore bënë të ditur se Pisha kishte marrë tre plagë në gjoks dhe një në ballë. PoliciaMeqenëse ishte ditë e diel dhe zona ku ka ndodhur vrasja është pjesë e tregut të qytetit, policia kishte organizuar shërbime të patrullave të ndryshme, në këmbë apo dhe me mjete motorike. Sapo janë dëgjuar krismat e para një nga këto patrulla ka qenë fare pranë vendit të ngjarjes ndaj dhe është afruar me shpejtësi. Pasi ka marrë informacione në lidhje me identitetin e viktimës, përshkrimin e dëshmitarëve okularë të pamjes së jashtme dhe të drejtimit të largimit të autorit janë vënë në ndjekje të tij. Vetëm 15 minuta ka zgjatur ndjekja e autorit të krimit, pasi forcat e policisë kanë rrethuar zonën duke ia bërë të pamundur arratisjen. I ndodhur në rrethim 32-vjeçari Drezaj ka hedhur armën përtokë dhe është dorëzuar. Nga hetimet e para të nisura rreth ngjarjes mendohet se motivi kryesor të jetë hakmarrja. Burime nga policia e Shkodrës bënë të ditur se midis dy familjeve Drezaj dhe Pisha, të cilat ishin nga e njëjta zonë, Thethi, ka ekzistuar një konflikt i cili e ka zanafillën vite më parë. Një pjesëtar i familjes Drezaj, është vrarë dhe i dyshuari kryesor për këtë ngjarje ka qenë viktima e djeshme, Ndue Pisha. Meqenëse ndaj 30-vjeçarit Pisha nuk kishte pasur fakte konkrete, ai nuk ishte dënuar nga drejtësia. Por një fakt të tillë nuk e kanë pranuar të afërmit e fisit Drezaj, të cilët kanë bërë vetëgjyqësi, duke ekzekutuar të akuzuarin prej tyre në një nga rrugët e qytetit të Shkodrës. 4 plumbajanë derdhur nga pistoleta e Drezajt në drejtim të Pishës. Sipas policisë, tre prej tyre e kanë goditur viktimën në gjoks dhe një në ballë