E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i spitalit: Skandal me tenderat e ilaçeve

Vlorë- Medikamente me shumicë që nuk janë kërkuar nga spitali dhe heqje ose minimizim i emrave për të cilat kërkesa është shumë e lartë. Kjo është situata në spitalin e Vlorës, që drejtori Lufter Nuraj e ka cilësuar alarmante.

Sipas tij në tenderat e medikamenteve të zhvilluar më parë ka pasur abuzime, sepse janë ndryshuar emrat e barnave nga ato që janë paraqitur në lista, janë hequr emergjentet dhe janë futur me shumicë emra për të cilat spitali nuk ka nevojë.

“Sot ne kemi me shumicë medikamente, si mallra stoqe pasi nuk na duhen, ndërkohë që për to janë dhënë paratë. Aktualisht na mungojnë antibiotikët, për të cilët kemi mbetur peng i tenderimeve”- tha Nuraj. Sipas tij, medikamentet stoqe llogariten në 100 milionë lekë dhe për këtë i është përcjellë së fundi informacion Ministrisë së Shëndetësisë.

“Nga barnat e paplanifikuara janë 8 zëra barnash shumë të kushtueshme dhe nga ato të planifikuara janë 27 zëra që kanë ardhur më pak se kërkesa e bërë nga spitali”- thotë ai, duke kërkuar zgjidhje të situatës, që po e vuajnë më së shumti pacientët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›