Argita Berisha: Lidhja ime me Fazlliç
Vajza e kryeministrit, Argita Malltezi mohon të ketë qenë pjesë e projektit energjitik të Porto Romanos
TIRANË- Vajza e kryeministrit, Argita Malltezi, pranon t’i ketë ofruar shërbime të hetuarit për pastrim parash në vendin tonë, Damir Fazlliç. Në të njëjtën linjë me babanë e saj, Sali Berisha, kunatin e ministrit Basha, Erion Isufi, kushërirën e saj, Shpresa Breçani apo në emër të partneres në biznes, Flutura Kola, Argita Malltezi u rrek dje të bindë se studioja e saj ligjore i ka shërbyer serbo-boshnjakut Fazlliç vetëm për çështje biznesi, që nuk kanë të bëjnë me sektorin publik. Si të mos ishte e bija e kryeministrit dhe të mos jetonte në një shtet, ku nuk ekziston një vijë e qartë ndarëse mes biznesit privat dhe përfitimeve prej punëve publike Argita është shprehur dje, nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për mediat se: “nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet publike apo asete shtetërore”.
Duke e konsideruar skandalin Fazlliç dhe hetimin e prokurorisë për të si “tollumbace”, vajza e kryeministrit Berisha ka mohuar të ketë marrë pjesë në projektin e Parkut Energjitik të Porto Romanos,ku klienti i saj, Damir Fazlliç zotëron 40 % të tokave të blera për këtë projekt. “Nuk kam qenë anëtare e asnjë bordi, komisioni, apo grupi të çfarëdolloji që është marrë me procesin ligjor, apo çdo lloj procesi të ngjashëm që lidhet me Parkun Energjitik të Porto Romanos”,-thotë në njoftimin për shtyp Argita Malltezi, duke mos mohuar megjithatë se studioja e saj i ka ofruar shërbime ligjore për këtë projekt Damir Fazlliçit. Nga ana tjetër, Argita Malltezi ka marrë në mbrojtje edhe ortaken e saj në studion “Kola& Malltezi”, Flutura Kola, edhe pse emri i saj figuron në dokumentat e botuara nga “Shekulli” si përfaqësuese ligjore e kompanisë “Rompetrol”, ku Damir Fazlliç zotëron 40% të aksioneve.
uke akuzuar median për mashtrime në emër të saj, Argita Malltezi nuk bën gjë tjetër veçse pohon gjithçka media ka shkruar për të: se Damir Fazlliç, i hetuar në disa shtete të Ballkanit për mashtrime financiare dhe i hetuar në Shqipëri për pastrim parash është klienti i saj, përveçse miku “krenar” i të atit. Në të vërtetë, në dokumentet e botuara gjatë këtyre ditëve nga “Shekulli”, nuk rezulton emri i Argita Malltezit, por emri i ortakes së saj në biznes, Flutura Kola. Ishte vetë Damir Fazlliç ai që pranoi në intervistën e tij televizive se vajza e kryeministrit Berisha, përveçse mike e tij ishte edhe avokatja e bizneseve që ai ka krijuar në Tiranës, pas vitit 2005, kur në pushtet u ngjit Partia Demokratike e Sali Berishës. Urim Rexhepi u pyet për moszbatimin e urdhrit të prokurorisë për ndalimin e Damir Fazlliç
Ikja e Fazlliç, merret në pyetje kryepolici i Rinasit
TIRANË- Shefi i komisariatit të Rinasit, Urim Rexhepi, merret në pyetje për çështjen “Fazlliç”. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë njësisë së Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, të cilët prej datës 7 tetor po hetojnë dyshimet se Fazlliç ka kryer veprën penale të “pastrimit të parave”. “Prokurori i çështjes, Dritan Rreshka, i shoqëruar nga një hetues dhe me dosjen hetimore ndër duar kanë zbritur në zyrën e shefit të komisariatit të Rinasit, duke e pyetur atë për arsyet që e shtynë të kundërshtonte prokurorët dhe të mos ndalonte Damir Fazlliç në Rinas, mesditën e 8 tetorit. Rexhepi ka pranuar të flasë për llogari të hetimit, por nuk ka pranuar se e ka shoqëruar biznesmenin nën hetim në ambientet e Rinasit. Mësohet se pyetja e shefit të komisariatit të Rinasit është bërë në zyrën e tij të punës, ku para hetuesve dhe prokurorit ka pranuar të japë shpjegime për të gjithë itinerarin e lëvizjeve të tij brenda dhe jashtë Rinasit ditën që shtetasi Fazlliç ka vizituar Tiranën. Urim Rexhepi ka mohuar të ketë njoftuar eprorët për veprimet që po kryente prokuroria ndaj shtetasit Fazlliç, i cili mendohet se pas marrjes së njoftimit se prokuroria e ka ftuar për t’u pyetur, ka lënë Shqipërinë një orë para përcaktimit të kthimit për në Bosnje. Shefi i Rinasit, ka vazhduar të këmbëngulë se ndalimi, eventualisht lajmërimi i shtetasit Fazlliç për shtyrje të kohës së fluturimit për në kthim, për shkak se po kërkohej nga prokuroria për të dhënë disa shpjegime, ka qenë i pamundur pa një urdhër të shkruar apo ftesës së lëshuar nga organi i akuzës. “Nuk mund ta ndaloja dhe njëkohësisht t’i kërkoja që të mos udhëtonte, pasi nuk kisha një letër apo shkresë zyrtare të cilën duhej ta zbatoja Në momentin që hetuesi ka ardhur në Rinas, shtetasi Fazlliç ka qenë në bordin e aeroplanit të tij dhe po largohej nga pista”,-mësohet të ketë thënë para hetuesve Rexhepi. HETIMI
Bllokohen llogaritë e kunatit të Bashës
TIRANË- Prokuroria e Tiranës urdhëroi bllokimin e llogarive bankare të kunatit të Ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmojnë këtë lajm, duke shtuar se bllokimi i këtyre llogarive bankare është bërë për shkak të mostjetërsimit apo transferimit të tyre në një vend apo llogari tjetër, deri në zbardhjen e hetimeve për çështjen “Fazlliç”. “Me anë të një shkrese zyrtare, organi i akuzës i ka kërkuar të gjitha niveleve dhe filialeve të bankave në vend të verifikojnë llogaritë bankare të shtetasit Damir Fazlliç e Erion Isufi si dhe kompanive që ata drejtojnë, si dhe bllokimin e tyre deri në një vendim të dytë të prokurorëve të çështjes. Shkak për këtë urdhër është bërë dyshimi se shtetasi Erion Isufi përdoret nga i hetuari Damir Fazlliç për pastrimin e parave të tij, të siguruara këtonë mënyrë misterioze dhe të pandershme”,-thuhet nga akuza. Sipas prokurorisë, të gjitha llogaritë bankare dhe transfertat e parave të kryera pas vitit 2005, duhet të bllokohen deri në një vendim tjetër, për shkak se dyshohet se këto biznese apo llogari bankare janë fuqizuar dhe mbushur nga pastrimi i parave. Gjithashtu, mësohet se në kohën që dyshohet se shtetasi Fazlliç ka bërë shit-blerjen e kompanisë së tij në Shqipëri nga ajo e Qipros me 1 milion e 750 mijë euro, kompanitë e tij janë administruar nga shtetasi Erion Isufi. Sipas prokurorisë, dyshohet se mbrapa kompanive që figurojnë nën emrin e kunatit të Lul Bashës, ndodhet biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç, për këtë arsye është kërkuar bllokimi i tyre për të kryer verifikimin e nevojshëm.