E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtori i spitalit akuza ministrit

Drejtori i spitalit “Nënë Tereza”, Mati Pepa, del hapur kundër ministrit të Shëndetësisë Nard Ndoka. 

ZIRINA LLAMBRO

Konflikti i heshtur që ka nisur disa muaj më parë është tashmë në kulmin e tij. Urdhri i Ndokës për pezullimin e drejtorit të QSU është kundërshtuar me forcë prej tij dje, në një konferencë për shtyp. Sipas Pepës, shkarkimi i tij është kompetencë e Kryeministrit të vendit e për këtë arsye nuk ka ndërmend të lërë postin. Madje, nuk kanë munguar as një sërë akuzash për neglizhencë në plotësimin e nevojave të QSU me ilaçe dhe bllokim të tenderave të aparaturave prej ministrit Ndoka. “Më datën 12/5/2008 në drejtorinë e QSUT ka ardhur një shkresë zyrtare, ku ministri i Shëndetësisë kërkon shkarkimin tim nga detyra. Urdhri është për pezullimin tim nga detyra derisa Kryeministri të bëjë shkarkimin. Ky është një urdhër qesharak i pabazuar në ligj dhe shakara të tilla të papërgjegjshme nuk i duron dot ky institucion, pasi është një institucion me impakt të rëndësishëm publik dhe nuk është pronë as e Nard Ndokës dhe as e imja”, deklaroi dje Mati Pepa.  Ai theksoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë pozicionin e tij për tekat e Nard Ndokës. “Në vend që të merret me punë konkrete, pasi nuk ka filluar asnjë procedurë tenderi në Ministrinë e Shëndetësisë, na akuzon se nuk dimë të bëjmë tendera. Por ne kemi gati 11 procedura tenderimi edhe pse nuk kam marrë në Drejtorinë Juridike atë që donte Ndoka”, tha drejtori. Më tej, ai nënvizoi se ka nisur në ministri disa shkresa rresht, ku ka bërë me dije se spitali më i madh në vend mund të vihet në vështirësi për medikamente. “Kjo që më datë 22.2.2008. Më pas në datën 4.4.2008  duke i kërkuar të marrë masa për situata që mund të vijnë. Ai më përgjigjet me dy gisht letër “Na jepni ilaçet emër për emër”, gjë që unë ia kam dërguar që në datë 22.2.2008. Ndoka të kujdeset për këtë situatë”, tha Pepa.
Argumentet ligjorë
Sipas tij, shkresa zyrtare për pezullimin nga detyra i ka kaluar  Drejtorisë Juridike dhe aty është bërë interpretimi i saj. “Ky urdhër sipas juristëve është krejtësisht i pabazuar në ligj dhe si i tillë nuk do të zbatohet nga ana ime. Ky urdhër është i pabazuar në Kushtetutë. Neni 102 pika tre thotë se “Kryeministri në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhrin për emërimin e drejtorit të QSUT” dhe unë jam emëruar prej kryeministrit. Pra është ai që mund të më shkarkojë mua nga kjo detyrë. Kjo sipas procedurave ligjore, por ministri Ndoka nuk i njeh këto procedura”, theksoi drejtori i QSUT. Ai sqaroi se urdhri është në kundërshtim edhe me Kodin e Procedurave Adminstrative, neni 116 ku thuhet se “aktet administrative quhen absolutisht të pavlefshme kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ në përcaktimin e kompetencave ligjore”. “Prandaj unë e kam quajtur akt administrativ të pavlefshëm dhe nuk e zbatoj, pasi nuk ka kompetencë ministri”, tha Pepa. Një tjetër argument ligjor sipas drejtorit është edhe vendimi 70 i Këshillit të Ministrave me të cilin bie ndesh urdhri. “Për statutin e spitaleve universitare”0, ku citohet se “Drejtori i Përgjithshëm i QSUT emërohet nga kryeministri”. Urdhri, sipas tij, bie ndesh edhe me vendimin e qeverisë nr 173 “Për emërimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave”, ku thuhet se lirimi ose shkarkimi i drejtuesve duhet të jetë i motivuar pasi të jenë dëgjuar. “Kam dëgjuar në media se jam motivuar për vdekjen e 17-vjeçares. Së pari, vajza ka vdekur si pasojë e një ndërhyrje kirurgjikale në një klinikë private, përgjegjësinë për mbikëqyrjen e klinikave private duhet ta mbajë ministri i Shëndetësisë”, tha Pepa.

Protesta e mjekëve

Mjekët e spitalit “Nënë Tereza”, nuk e kanë përfillur aspak Ministrinë e Shëndetësisë, duke i quajtur të paaftë drejtuesit e saj dhe i janë drejtuar për zgjidhje direkt Kryeministrit të vendit. Kjo, pas dy protestash të njëpasnjëshme pas plagosjes së mjekut Ali Refatllari prej të afërmit të një pacienti. Ata në konferencat për mediat kanë kundërshtuar hapur ministrin Ndoka, duke e cilësuar përgjegjës për krizën e medikamenteve, mungesën e aparaturave dhe një sërë problemesh të tjera në shëndetësi. Për bluzat e bardha, shëndetësia po lëngon nga menaxhimi i të paaftëve. Në letrën që i kanë dërguar disa javë më parë Kryeministrit, pasi kanë paraqitur gjendjen e sistemit shëndetësor, profesorët janë fokusuar në 6 pika kyçe, ku duhet të ndërhyhet me domosdoshmëri. Ndër to, më të rëndësishmet janë rritja e financimit të sistemit shëndetësor, vendosja e personave të aftë në pozicionet drejtuese, plotësimi i nevojave të spitalit dhe funksionimi i skemës së sigurimeve shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›