E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtori s’është prioritet

Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka prioritet zgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë. Situata në Veri ka bërë që shteti të merret me punë të tjera më të rëndësishme, sesa me zgjedhjen e pasardhësit të Reshat Maliqit Nga Nexhmije Ahmeti më 04 gusht 2011 në ora 12:15

Karrigeja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës ka mbetur e zbrazët. Që nga 25 korriku, në të nuk është ulur askush, prejse Reshat Maliqi u shkarkua nga posti, pas vetëm disa muajsh qëndrimi në të.

Maliqin e shkarkoi nga pozita kryeministri Hashim Thaçi, natën kur në veri të vendit u ndërmor operacioni për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31. Arsyet e shkarkimit të Maliqit nuk janë bërë të ditura, ashtu sikur së paku zyrtarisht ende askush nuk është emëruar ushtrues detyre në postin e lënë bosh. Në fakt, ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë automatikisht e merr zëvendësdrejtori, e që në këtë rast këtë është Shpend Maxhuni.

Në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se për postin e drejtorit duhet të shpallet konkurs. “Këtë duhet ta bëjë Ministria e Punëve të Brendshme”, tha Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Polici.

Por si duket, rreth 7 mijë policë do të vazhdojnë edhe më tutje të mos kenë udhëheqës, për shkak se drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk e kanë aspak në prioritet zgjedhjen e drejtorit të ri.

Kështu së paku thotë vetë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai tha për Express se këtë çështje nuk e ka në prioritet tani për tani. Madje, ktheu përgjigje me nervozë kur u pyet në lidhje me shpalljen e konkursit për drejtor të Policisë.

“Allahile lemni rahat, nuk e kam hiç në prioritet këtë punë”, theksoi ai.
Në fakt, ishte vetë rexhepi ai, i cili pas sugjerimit të panelit intervistues, i kishte rekomanduar kryeministrit hashim Thaçi emrin e Reshat Maliqit pwr drejtor.
Sipas ligjit, ushtrues detyre në këtë post nuk mund të qëndrojë askush mbi tre muaj. Ndërsa në bazë të Ligjit për Policinë, për postin e drejtorit duhet të shpallet konkurs dhe pas kandidimit të personave, bëhet edhe intervistimi i tyre nga Komisioni për Emërime të Larta dhe Disiplinë në Polici. Ky komision i propozon ministrit të Brendshwm kandidatët për emërim në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ndërkaq ministri i rekomandon kryeministrit kandidatët e mundshëm.

Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron kryeministri, bazuar në propozimet e paraqitura nga ministri. Drejtori i Përgjithshëm emërohet për një periudhë trevjeçare dhe mund të riemërohet në fund të kësaj periudhe edhe për pesë vjet të tjerë, pa procedura konkurruese.

Drejtori, zëvendësdrejtori dhe çdo ndihmësdrejtor i Policisë mund të largohen nga detyra nga autoriteti që i ka emëruar para afatit të paraparë, për njërën nga këto arsye: me kërkesë të tij, për shkak të paaftësisë për t’i kryer detyrat në afatin gjashtëmujor për shkaqe shëndetësore, për mosplotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, nëse shpallet fajtor për shkelje të rëndë disiplinore dhe nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›