Rrufeja dëmton sinjalin kompjuterik, dogana e Kapshticës pezullon lëvizjen
Rrufeja, e cila ka dëmtuar sinjalin kompjuterik në anën greke, ka bërë që të pezullohet lëvizja në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pika kufitare e Kapshticës përballet me probleme të papritura, nga radhët e gjatë të krijuara gjatë orëve të pasdites të të hënës, të cilat kanë ardhur si shkak i një goditje rrufeje në një nga antenat e sinjalit kompjuterik.
Defekti ka ndodhur rreth orës 18.30 të ditës së djeshme, ndërkohë që menjëherë pala shqiptare nëpërmjet drejtuesve të saj ka kërkuar një takim me palën greke. Sipas komandantit të pikës shqiptare të kalimit, Dritan Shema defekti teknik ka ndodhur pas një shtrëngate shiu në pikën greke të kalimit, ndërsa është ndërprerë puna pasi nuk kas sinjal kompjuterik si për hyrjet, ashtu dhe për daljet nga shteti fqinj. Menjëherë janë krijuara radhë të gjata, ndërsa më problematike është paraqitur situata në tokën greke. Rreth 1 kilometër ka qenë radha e udhëtarëve, që prisnin në anën greke për të hyrë në territorin shqiptar, ndërsa në anën shqiptare numri i automjeteve ka qenë më i pakët rreth 30 të tilla. Gjithashtu edhe disa autobusë të linjave të përditshme me Greqinë kanë mbetur bashkë me udhëtarët e tyre në kufi, deri në rikthimin e punës të kompjuterëve grekë. Qindra udhëtarë kanë gdhirë natën e të hënës jashtë, deri në fillimin e punës, ndonëse pala greke ka thirrur specialistë të posaçëm për të riparuar defektin.