E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Higjienës: Kujdes nga ambulantët

 

Kontrolle për të shmangur konsumin e produkteve me risk për konsumatorët. Plot 1680 kg lëndë ushqimore që përdoret në fast-foode është asgjësuar gjatë muajit qershor nga Drejtoria e Higjienës në kryeqytet. Sipas drejtorit të saj, Gjergji Ndoja, këtë verë situata paraqitet më pak problematike. “Është konstatuar një ndotje tek akullorja që tregtohet, në shifrën 4%, krahasuar me 10 % të një viti më parë”, sqaroi Ndoja. Ai shtoi se  masat e mara janë në procesverbale me detyra, por edhe me gjoba. “Të gjithë jemi dëshmitarë të vajit të ashtuquajtur të hapur, gjizë e hapur, gjalpë i bërë vetë, apo verë e bërë vetë, etj. Atëherë kur ka produkte të hapura, të paambalazhuara, të paetiketuara, dhe kur në etiketë nuk pasqyrohet edhe data e skadencës, konsumatori duhet t’i shmanget këtyre produkteve”, thotë Drejtori i Inspektoratit të Higjienës. Një vëmendje të veçantë, sipas Ndojës, në këtë periudhë duhet t’i kushtohet dhe shitësve ambulatorë, që tregtojnë në rrugët e Tiranës e që nuk kanë një licensë. “Duhet që vetë konsumatorët të ndërgjegjësohen, edhe pse i takon Policisë Bashkiake mos t’i lejojë këta shitës që shkelin të gjitha parametrat e higjienës”, u shpreh drejtori. Sipas tij, prej kontrolleve të kryera në Tiranë ka pasur dhe subjekte, të cilat kanë kërkuar ndihmën e vet inspektorëve të higjienës për të konstatuar nëse malli i tyre është brenda të gjitha parametrave apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›