E Shtunë, 31 Tetor 2026

Onkologjiku plot,800 raste të reja me kancer lëkure

 

Në pavijonet e spitalit Onkologjik në Tiranë nuk ka asnjë vend të lirë. Mjekët pohojnë se fluksi i pacientëve që kanë nevojë të shtrohen është tepër i lartë, por ndërkaq ngrenë dhe një tjetër problem. ”Një pjesë e mirë e vendeve në pavijon zihen nga tumoret e lëkurës, që normalisht konsiderohen si të formave më të lehta. Po ata janë nga rrethet, duhet të bëjnë rreze, por s’mund ta bëjnë vajtje ardhje rrugën çdo ditë. Prandaj një pjesë e mirë e vendeve zihet prej tyre”, sqarojnë burime nga stafi i mjekëve. Sipas tyre, ndonëse është spital unik, onkologjiku funksionon me të njëjtat kapacitetet të 20 viteve më parë. ”Nuk është shtuar asnjë vend i ri, edhe pse disa vjet më parë spitali u rikonstruktua”, thonë burimet. Përveç apelit për t’u diagnostikuar në koh,ë për të parandaluar prekjen nga tumore me risk të lartë për jetën, si ai i gjirit, mushkërive, zorrës së trashë, apo qafës së mitrës, mjekët këshillojnë që gjatë kësaj stine të bëhet kujdes me mbrojtjen nga rrezet e diellit. ”Nuk i jepet shumë rëndësi por kemi 800 raste të reja me tumore të lëkurës. Faktori kryesor mbetet rrezatimi diellor ndaj të cilët shqiptarët ekspozohen pa u mbrojtur, ndërsa një tjetër është mungesa e higjienës së lëkurës”, shprehen bluzat e bardha. Sipas tyre, tumore të kësaj natyre shpesh shfaqen edhe në zonën e fytyrës, duke krijuar një problem shumë të madh estetik. Por jo vetëm kaq, një kancer lëkure mund të të marrë edhe jetën. Një nga format më të përhapura të kancerit të lëkurës është melanoma. ”Të gjithë njerëzit kanë nishane në trup, por tendenca për shfaqjen e melanomës kanceroze shfaqet vetëm te disa prej tyre”, saktësojnë bluzat e bardha. Sipas tyre, ekzistojnë disa tipe nishanesh që kanë karakter malinj, dhe përbëjnë një rrezik për shfaqjen e melanomës. Ata pohojnë se evidentimi dhe kurimi në stadin fillestar nuk përbën rrezik për jetën e personit. ”Nëse kapet në stad të përparuar, mund të shkaktojë përhapjen e metastazave në organe të tjera, si mëlçia apo mushkëritë”, shprehen mjekët. Personat me rrezikshmëri të lartë janë ata që kanë një numër të madh nishanesh në trup, personat me lëkurë të çelët dhe sy të kaltër. Të rrezikuar janë edhe ata, që punojnë në ambiente të hapura. Më e përhapur melanoma është tek moshat e rritura, mbi 35-vjeç, por rastet e shfaqjes së këtij kanceri tek fëmijët nuk mungojnë. Përveç tendencës gjenetike, ekspozimi i gjatë në diell është një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e këtij kanceri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›