Shqipëria, nga pellazgët tek postdiktatura
ALMA MILE
Për gjashtë vjet me radhë ka qëmtuar nëpër biblioteka, ka shfletuar mijëra fletë e ka shfrytëzuar qindra burime."Ngadhënjim mbi mijëvjeçarët-Shqiptarët një komb i pavdekshëm", nuk është thjesht një libër për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përmasat e tij janë enciklopedike. Nëse do të mësosh më shumë për gjeografinë, demografinë, historinë, gjuhën, zakonet, studiuesi dhe përkthyesi Arion Hysenbegas ofron një lëndë të pasur në rreth 780 faqe. Duke jetuar jashtë vendit (prej 9 vjetësh jeton në Kanada), Hysenbegas e ka skalitur edhe më ndjenjën e atdhedashurisë dhe parë nga ky këndvështrim, dëshira e tij e madhe është që ta paraqesë Shqipërinë si një nga vendet më të lashta në Evropë shqiptarët e gjuhën shqipe, por logjika e ftohtë e matematikanit e shtyn të bazohet saktë dhe vetëm në fakte. Dhe deduksionet e tij vijnë si rezultat i një morie të dhënash dhe burimesh që ka shfrytëzuar. Librin e ka ndërtuar mbi bazën e tre shtyllave kryesore, apo kryekapitujve, që janë prejardhja, gjuha dhe zakonet, të cilët ndahen më tej në nënkapituj. Kapitulli i parë, "Një kalim i shpejtë përmes historisë", tregon historinë e popullit shqiptar, që nga parahistoria më e hershme, epoka e gurit, për të vijuar në periudhat e mëvonshme, gjithmonë duke u mbështetur në dokumente bindëse, si zbulime arkeologjike e shkrime të autorëve antikë, duke u mbështetur në përfundime të arritura nga studime të diturish të kohërave të mëvonshme, në studime albanologësh të shquar të djeshëm e të sotëm. E ka tepër për zemër të vërtetojë se ilirët e më pas shqiptarët janë një popull pellazgjik dhe për këtë shfrytëzon vepra dhe dëshmi të autorëve të lashtë grekë e romakë, si Homeri, Hesiodi, Herodoti, Thukuditi, Aristoteli, Tit Livi, Straboni, Plini, Plutarku, Eskili, Sofokliu, Euripidi, etj., për të ardhur në emra të njohur të historiografisë botërore, të periudhave më të vonshme dhe bashkëkohore. Ndonëse periudhës antike i jep një rëndësi më të madhe, në nënkapitujt e mëtejshëm flet për Shqipërinë nën sundimin osman, pavarësinë, luftërat botërore dhe periudha komuniste dhe postkomuniste.
Kapitulli i dytë, "Dy fjalë mbi gjuhën shqipe", është një analizë shkrimesh të autorëve antikë, që nga Homeri, veprat e hershme, por edhe burimet arkeologjike, toponomastike, antroponimike, numizmatike. Këtë kapitull ai e hap me një përfundim të prof H. H. Robert D' Angely sipas të cilit "Duke folur për gjuhët primitive, ne kemi shpjeguar se gjuha pellazge, ose shqipe, është aq e lashtë sa vetë raca e bardhë". Duke shfrytëzuar një mori burimesh dhe studimesh të studiuesve të huaj i mëshon idesë se "Gjuha shqipe është një thesar i pashfrytëzuar ende, një thesar që duhet njohur nga njerëzit e shkencës, është çelësi i gjuhëve të hershme, që sot kuptohen me vështirësi (shpesh për intuite, duke bërë aluzione, duke ushqyer hamendje, duke formuluar hipoteza, duke përfituar nga shkrime paralele) ose nuk kuptohen fare". Madje përpiqet të zbërthejë shumë emra perëndish greke, apo mbretërish e prijësish legjendarë, që sipas tij marrin kuptim vetëm në gjuhën shqipe si Priami, Paridi, Zeusi, Hera, Athinaja, Demetra, etj. Libri enciklopedik vijon me kapitullin "Mbi kulturën popullore shqiptare dhe vlerat shpirtërore të trashëguara te shqiptarët".
Në të paraqiten etnovlera të ruajtura në folklorin shqiptar, në gjithë krijimtarinë e gjerë popullore shqiptare, në gojëdhënat, legjendat, përrallat, fjalët e urta, urimet, mallkimet, përbetimet, poezinë epike e lirike, këngët, vallet, lodrat popullore, në artet figurative popullore, në zakonet, doket, mendësitë e trashëguara dhe veçoritë e karakterit të shqiptarit, në botëkuptimin fetar të shqiptarit të së gjitha kohërave.
Libri
Titulli: "Ngadhënjim mbi mijëvjeçarët-Shqiptarët një komb i pavdekshëm"
Autori: Arion Hysenbegas
Numri i faqeve: 784
Çmimi: 2 mijë lekë