E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimet, banorët e 2 fshatrave në protestë

Banoret e fshatit Kuqar dhe Zharrez ne Fier bllokojne rrugen nacionale Fier Berat, Protesta merr shkak nga shpërthimet masive në zonat naftëmbajtëse nga kompania Bankers Petrolium, ndersa kerkojne demshperblim. 

FIER - Qindra banorë të fshatit Kuqar dhe Zharrëz në rrethin e Fierit, dje kanë protestuar për shpërthimet masive që bëjnë kompanitë e huaja në zonat naftëmbajtëse. "Dje, më shumë se kurrë ndjemë rrezikun e vdekjes. Shpejtuam të dilnim jashtë nga shtëpitë që të mos mbeteshim poshtë nën gërmadha". Kështu janë shprehur banorët e dy fshatrave në fjalë. Mësohet se si pasojë e lëkundjeve të forta të tokës janë dëmtuar rëndë tri banesa në fshatin Kuqar. "Situata është alarmante. Prej më shumë se një muaji vazhdojnë lëkundjet e tokës. Lëvizjet nuk janë të vazhdueshme, por toka dridhet disa herë në ditë. Nga gjithë këto tronditje, banesat kanë marrë plasaritje në pjesën e çatisë dhe të mureve. Nga momenti në moment, ato mund të rrëzohen", - tregon Neim Laze (njëri prej banorëve që i është dëmtuar shtëpia). Nisur nga situata e krijuar, banorët e dy fshatrave në fjalë dje u hodhën në protestë, duke bllokuar qarkullimin në aksin rrugor Fier-Berat. Ata deklaruan se nuk do të heqin dorë nga protestat, nëse drejtuesit e firmave të huaja nuk marrin masa për zgjidhjen e këtij problemi.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›