Ndoka:” Plagosja e mjekut, ngjarje e pafalshme”
Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, dënoi aktin e shëmtuar ku mbeti i plagosur një nga mjekët më me emër në QSUT. Ministri i Shëndetësisë zhvilloi një vizitë në QSUT për të parë ecurinë e gjendjes shëndetësore të mjekut të plagosur pas operacionit. Ministri e cilësoi të pafalshme plagosjen e mjekut Ali Rifatllari, i plagosur paraditen e ditës djeshme nga një qytetar, teksa ishte duke kryer detyrën e tij. “Kjo është një ngjarje e pafalshme. Nevojitet respekt dhe mirënjohje për punën dhe misionin e mjekut. Ky rast nuk duhet të përsëritet më. Ky akt i paprecedent dëmton dhe pengon punën e mjekëve dhe imazhin e shqiptarëve”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë. Burimet e Ministrisë s Shëndetësisë konfirmuan se Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Ali Rifatllari, u sulmua (rreth orës 9) nga shtetasi Arben Strazimiri, i cili e goditi mjekun dy herë me thikë pas shpine. Aktualisht Prof. Rifatllari ndodhet në sallën e operacionit në shërbimin e Kardiokirurgjisë jashtë rrezikut për jetën.
Kryeministri Berisha viziton mjekun e plagosur
Kryeministri Berisha vizitoi dje në qendrën spitalore “Nënë Tereza” kardiokirurgun Ali Rifatllari, i cili gjendet i shtruar pas plagosjes në mëngjesin e djeshëm, në ambientet e kësaj qendre. Kryeministri e ka shprehur keqardhjen që raste të tilla ndodhin në ambientet spitalore, ndërsa mjekët bëjnë punën e tyre. Pasi u interesua për gjendjen e tij shëndetësore, kryeministri i uroi mjekut Rifatllari shërim sa më të shpejtë.
12 Prill 2008