E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Ujësjellësit: Teknikët po përpiqen të riparojnë defektin. Ujin e presim të na vijë sot

Amvisat kryeqytetase kanë mbetur pa përfunduar të gjitha punët e fundvitit. Ashtu siç e do edhe tradita shqiptare, shtëpia në tërësi, gardëroba dhe pastërtia e higjiena, duhet të jenë në lartësinë e duhur, me rastin e festave të fundvitit. Por teksa prisnin furnizimin e ujit në orarin e drekës, zhgënjimi ka qenë tepër i madh për qytetarët. Asnjë pikë ujë nuk ka rrjedhur nga çezmat e shumicës së qytetarëve. Disa nga zonat e qytetit janë përfshirë pa “dashur” në një avari në rrjetin e tubacioneve të kanalizimeve. Problemi i mungesës së ujit në disa nga zonat në Tiranë, ka nisur disa ditë më parë. Ndërkohë që vetëm dje, ku shpërndarja e ujit nuk është kryer në pothuaj gjithë qytetin, Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka deklaruar se ka pasur një defekt dhe specialistët teknikë të Ujësjellës-Kanalizimeve janë duke riparuar avarinë.
Defekti
Bëhet fjalë për një defekt në rrjetin e ujësjellësit në Lanabregas dhe në depon e Qytetit Studenti. Për pasojë, ndërprerje në furnizimin me ujë të pijshëm do të ketë në zona të tilla si në Tiranën e Re, Komuna e Parisit, zonën e Kinostudios, Kodra e Priftit, Sauk dhe në zonën e Ali Demit.
Drejtues të ujësjellësit kanë njoftuar gjithashtu se grupe specialistësh janë në vendngjarje dhe po punojnë për riparimin e defektit dhe furnizimin normal me ujë të pijshëm.
Avaria e shfaqur dje, kryesisht në rrjetin e tubacionit, e cila ka lënë dhjetëra familje pa ujë të pijshëm, nuk dihet se kur do të rregullohet. Sipas Drejtorisë së Ujësjellësit, mendohet që të paktën deri sot në drekë kjo avari të jetë sistemuar dhe në çezmat e qytetarëve të mbërrijë prapë uji i pijshëm.
Gjatë kësaj kohe, qytetarët duhet të qëndrojnë në paqe, të mos programojnë punë për të cilat duhet shpenzuar shumë ujë dhe nga ana tjetër të gjejnë zgjidhje alternative për të siguruar ujë.
Depozitat
Sipas Drejtorisë së Higjienës, koha kur tubacionet e ujit të pijshëm qëndrojnë të boshatisura, bëhen faktor për zhvillim bakteresh, virusesh, duke infektuar ujin që do të shkojë më pas deri në çezmat e qytetarëve. Nisur nga kjo këshillohet që enët që kemi në shtëpi të mos mbushen menjëherë sapo vjen uji, por të pritet deri në pastrimin e tubacioneve e më pas të vazhdohet me punët rutinë që kryejmë zakonisht gjatë orarit të furnizimit me ujë. Po ashtu, depozitat e ujit duhet të pastrohen një herë apo dy herë në vit. Në rast se depozitat nuk pastrohen, atëherë bëhen burim infeksionesh për qytetarët, duke shkaktuar edhe infeksione si hepatiti. Më problematike nga të gjithë mbeten depozitat në bodrumet e pallateve, të cilat pothuajse nuk pastrohen kurrë. Ndërtimet janë në një mënyrë të tillë, të cilat pengojnë boshatisjen dhe rimbushjen e depozitave në mënyrë periodike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›