Viti 1997 shkaktoi paralizë në shtyllën e saj kurrizore. Që atëherë ajo nuk mund të ecë më
Të lutem o Zot më jep forcë! Kjo lutje ia hap sytë për çdo mëngjes. Ajo është e paralizuar. Lufton me të përditshmen e saj plot pengesa të pakalueshme, për t’u treguar të tjerëve së është “njësoj” me ta dhe se mund t’ia dalë. Dëshira për ta jetuar jetën si të tjerët, e ka bërë atë edhe më të fortë përballë pamundësisë për të ecur. Suela Lala quhet vajza me aftësi të kufizuara. Prej 12 vjetësh këmbët e saj kanë dalë jashtë “funksionit”.
Nëse të tjerët ecin me dy këmbë, ajo është e detyruar të ecë mbi dy rrota. është e dhimbshme, por edhe për t’u marrë shembull. Ajo është 25 vjeçe dhe përballet çdo ditë me paaftësinë e të mosecurit. Ishte vetëm 12 vjeçe kur u qëllua nga një plumb qorr në shtyllën kurrizore. Ajo lindi e shëndetshme dhe me të gjitha aftësitë e duhura për të qenë si gjithë të tjerët. Me buzëqeshjen e ëmbël që e karakterizon, rrezaton mirësi dhe shpresë të pashtershme. Ishte 23 qershori i vitit 1997, dita që ndryshoi përfundimisht rrjedhën e jetës së saj. 1997-a ishte viti që, përveç trazirave të shumta që solli në vend, shkaktoi edhe fatkeqësinë më të madhe të jetës së 25-vjeçares.
Familja ka qenë mbështetja më e madhe në të përditshmen e saj, mes diskriminimesh dhe vështirësish të panumërta. Ajo pohon se ka kaluar peripeci nga më të ndryshmet. Suela nuk nguron të shprehë pakënaqësitë që ka në lidhje me shtetin shqiptar dhe mungesën e shërbimeve që ndesh në jetën e saj të përditshme. “Në Shqipëri është ndërtuar një ambient fizik, i cili është i gjithi përjashtues për mua e për këdo tjetër me aftësi të kufizuara, a thua se principi i barazisë në Kushtetutën e Shqipërisë është shkruar vetëm për të tingëlluar bukur e pa pasur një kuptim real”, shprehet vajza e paralizuar. Ajo nuk harron të përmendë një nga rastet kur është ndjerë keq dhe e diskriminuar në raport me të tjerët.
Ka qenë dita kur ka aplikuar për kartën e identitetit. Zyra e caktuar pranë minibashkisë nr.11 ishte në katin e dytë të ndërtesës dhe e vetmja zgjidhje për të mbërritur atje ishte që 25-vjeçaren ta ngrinin në krahë, me gjithë karrigen me rrota, nëpër disa shkallë shumë të ngushta e tmerrësisht të pjerrëta. “Përveç kësaj, punonjësit e zyrës nuk kishin asnjë udhëzim se si veprohet në raste të veçanta, gjë që padyshim është më se e nevojshme, kur bëhet fjalë për një shërbim kaq gjithëpërfshirës. Për mua, standardet, integrimi, Europa, hartimet e kopjuara dhe gjithçka tjetër flitet, mbeten vetëm demagogji e pastër, për sa kohë ndihem skllave e sistemit”. E megjithatë ky nuk mbetet rasti i vetëm, sipas Suelës. “Nuk e di sa kohë do më duhej për të vazhduar me të tjera histori si këto…”, tregon vajza, duke tundur vazhdimisht kokën, si për të pohuar vështirësitë që i duhet të kalojë çdo ditë e më shumë.