Granatë në zyrat e një firme ndërtimi, te ish- Bloku, shoqërohet një i dyshuar
Tiranë - Një shpërthim ka ndodhur rreth orës 21:30 në një rezidencë zyrash dhe ambientesh banimi pranë zonës së ish-Bllokut. Uniformat shkuan në vendngjarje dhe rrethuan një pallat pas stadiumit “Selman Stërmasi”, matanë zonës së ish-Bllokut në afërsi të stadiumit “Dinamo”. Të dhënat e para flasin për shpërthim në një nga zyrat e një firme ndërtimi që ndodhet në qendrën rezidenciale. Ende nuk dihen motivet e sakta të këtij shpërthimi të mistershëm, i cili ka tronditur zonën pranë stadiumit “Dinamo”, ndërsa janë duke u mbledhur të gjitha provat dhe faktet për gjetjen e autorit të kësaj ngjarjeje.
Megjithatë burime të policisë kanë hedhur dyshime për tre pista të mundshme mbi motivet e kësaj ngjarjeje. Policia dyshon se shpërthimi ka ardhur për shkak të konkurencës, ose mund të ketë qenë ndonjë person që ka blerë apartament në këtë firmë ndërtimi. Pista e tretë është ajo e ndonjë punëtori të pushuar nga firma i cili është hakmarrë me hedhjen e granatës.
Për këtë ngjarje policia ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit numër 2 dhe po merret në pyetje, por ende nuk bëhet i ditur emri i tij.
21 Tetor 2008