E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoritë rajonale: Kemi 5 mijë aplikime

Ministria argumenton publikimin e udhëzimit tri ditë para skadimit të afatit MBUMK: Financimi i fermerëve nuk ka dështuar

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, reagoi në lidhje me projektin e subvencionimit të bujqësisë, duke e konsideruar lajmin e gazetës “Shqip” si të mbushur me “të pavërteta”. Gazeta “Shqip” raportoi të hënën se një udhëzim i dy ministrive për mënyrën e shpërndarjes së 15 milionë dollarëve të destinuara për ndihmë direkte për fermerët, u publikua në Fletoren Zyrtare vetëm tri ditë pas përfundimit të afatit të lejuar për pranimin e aplikimeve. Por sipas ministrisë, mospublikimi paraprak në Fletoren Zyrtare të Udhëzimit, nuk ka sjellë pengesa për procesin e aplikimit.

“Udhëzimi i dalë, në zbatim të VKM-së, shprehet qartë dhe në fund të tij (faqe 25) thuhet ‘Hyn në fuqi menjëherë’. Pra udhëzimi për fondin e bujqësisë ka hyrë në fuqi që në datë 14 janar 2010. Në bazë të udhëzimit, aplikimi për fermerët ka filluar më 15 janar dhe mbyllet më 28 shkurt 2010. Ndonëse në Fletoren Zyrtare, botimi është bërë më 25 shkurt, theksojmë që fuqia ligjore i është dhënë udhëzimit në momentin që ai është firmosur nga të dy ministrat, ai i Bujqësisë dhe ai i Financave”, thotë reagimi i Ministrisë së Bujqësisë.

“Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, që në fillim të janarit të këtij viti, kanë nisur punën për lajmërimin e fermerëve për fillimin e aplikimeve. Nga të dhënat e marra nga DRBUMK rezulton se deri tani kanë aplikuar rreth 5000 fermerë për mbjelljet e reja dhe në dhjetëditëshin e parë të marsit do të bëhet vlerësimi i aplikimeve dhe shpallja e fituesve, të cilët do të njoftohen nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rajonal.

Në zbatim të udhëzimit të përbashkët të të dy ministrive në muajt në vijim, do të vazhdojnë aplikimet për subvencionim të blegtorisë, serave, fermave bio dhe industrisë agropërpunuese nëpërmjet subvencionimit të normës së interesit për kredi”, vijon deklarata.

Ministria reagoi edhe ndaj shqetësimeve të ngritura nga disa ekspertë, për faktin se paratë e taksapaguesve po i shkojnë fermerëve që sakaq e kanë kryer investimin, në vend që t’i shkojnë fermerëve të varfër që nuk kanë mundësi financiare për të investuar.

“Sa i përket problemit që ka ngritur gazeta ‘Shqip’ për menaxhimin e fondit të subvencionit, theksojmë se që nga auditimi i bërë nga MBUMK deri më sot nuk ka rezultuar asnjë problem që ka të bëjë me keqmenaxhim të këtij fondi. Menaxhimi i fondit është monitoruar edhe nga organizata të pavarura, siç është SNV-ja, e cila ka realizuar me qindra intervista me fermerë në të gjithë Shqipërinë dhe nuk ka rezultuar asnjë ankesë në lidhje me përzgjedhjen dhe financimin e projekteve fitues”, thotë ministria.

Të dhëna të mbledhura nga korrespondentët e gazetës “Shqip” nëpër rrethe tregojnë se gjatë këtij viti ka pasur një numër të ulët aplikimesh, ndërkohë që ministria thotë se aplikimet janë rritur.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›