Paratë e viktimave shkojnë për urat
Një pjesë e fondit të mbledhur nga donacionet për familjet e prekura nga përmbytjet në veri të vendit do të shkojë në projekte rrugore, si dhe argjinaturash te lumenjtë. Me një vendim të posaçëm, qeveria shtoi buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Punëve Publike, në mënyrë që të menaxhojnë si duhet situatën e krijuar nga përmbytjet. Bëhet fjalë për 163 674 300 lekë, që shkojnë për qarqet Lezhë dhe Shkodër përmes dy ministrive, ku një pjesë e parave do të sigurohet nga Shtabi i Emergjencës Civile, i cili në ditët e përmbytjeve hapi llogari bankare për familjet e prekura. Gati 113 milionë lekë do të përdoren për restaurimin e argjinaturave të lumenjve që kalojnë në zonën e Shkodrës dhe atë të Lezhës, të cilat pas përmbytjeve në shumë pjesë kanë dalë jashtë funksionit të tyre. Kështu në bazë të këtij vendimi, në zonën e Shkodrës për vitin 2010 do të ndërmerret thellimi i grykëderdhjes së Bunës dhe do të rregullohen argjinaturat në zonën e Velipojës, Dajçit dhe Komunës së Gurit të Zi. Në Qarkun e Lezhës mbetet primare restaurimi i hidrovorit të Tales dhe riparimi i argjinaturës në ishullin e Shën-Gjinit. Në buxhetin që i shtohet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit përfshihen koncentratet dhe ushqimet për blegtorinë e zonës. Po ashtu, në 2010-n do të rikonstruktohet ura e lumit Buna, ura e Drinit në Fierzë dhe do të prishet ura e vjetër e Gjolulit. Krahas këtyre, një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti sipas VKM-së do të shkojë në restaurimin e kanaleve ujësjellës dhe shkarkuese të Qarkut të Shkodrës dhe Lezhës. Sipas qeverisë, do të merren pajisje dhe masa inxhinierike që të mund të zbehin dalëngadalë përmbytjet e këtij viti.
#