E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet ndihma e Bankës Botërore

Kryeministri

Duket se qeveria dhe Banka Botërore po kalojnë një “muaj mjalti”, pas asaj që ndodhi me projektin e Jugut. Tashmë palët i kanë qartësuar pozicionet e tyre me projektin dhe po shohin mundësinë e rritjes së bashkëpunimit. Në këtë frymë, Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim Juan Jose Fernandez-Ansola dhe Jaime Jaramillo-Vallejo nga Banka Botërore, si vlerësues të pavarur për llogari të bordit të bankës së projekteve në Shqipëri, në kuadrin e strategjisë së mëparshme të asistencës. Ky delegacion i Bankës Botërore ndodhet në Shqipëri për të parë më nga afër nëse projektet e Bankës Botërore kanë qenë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare dhe nëse strategjia e re e asistencës po konsultohet me qeverinë, në mënyrë që Banka Botërore të pozicionohet aty ku vendi e ka të nevojshme. Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e BB-së për vizitën e tyre dhe shprehu konsideratat e larta për këtë institucion, si një donator dhe partner serioz në të gjitha reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë. Ai solli në vëmendje rolin e Bankës Botërore në financimet e shumta, eficente dhe kontributet e suksesshme në infrastrukturë, veçanërisht të rrugëve rurale apo të rrugës Durrës-Kukës, në arsim, bujqësi, reformat rregullatore, mjedis, shëndetësi, në privatizimet etj. Për strategjinë e re të asistencës nga Banka Botërore, Kryeministri përcolli mesazhin e një diskutimi të gjerë mes ekspertësh të bankës dhe qeverisë, duke cilësuar prioritetet e qeverisë sërish në infrastrukturë: rrugët rurale dhe ujësjellës, sidomos në zonën Tiranë-Durrës, në kujdesin shëndetësor, arsim, në reformën e tokës, në fushën e energjisë për sigurimin e digave dhe në mbështetjen e sektorit privat, përmes Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›