Drejtues të Forcave Ushtarake Britanike takojnë përfaqësuesit të pushtetit vendore në Vlorë
Drejtues të forcave ushtarake britanike, që marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2013”, që ka nisur në Shqipëri, zhvilluan dje takime me përfaqësues të pushtetit vendor në Vlorë, mes të cilëve me prefektin, Eduart Veçani dhe nënkryetarin e Bashkisë, Ilir Banushi. Këto takime kortezie kanë shërbyer për njohjen e ndërsjellët, për qëllimin e stërvitjes ushtarake, ndërkohë që një vend i veçantë i është lënë prezantimit të profilit gjeografik, social e ekonomik të Vlorës, në funksion të zhvillimit të turizmit. Ushtarakët britanikë, tepër të interesuar për potencialet turistike të bregdetit të Vlorës, kanë kërkuar detaje për këto resurse, si dhe për fluksin e turistëve të huaj dhe origjinën e tyre. Drejtuesit e pushtetit vendor, informuan se fluksi turistik ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, çka reflekton edhe në shtimin e numrit të turistëve të huaj, të cilët vijnë kryesisht nga vendet e Evropës Qendrore, ku veçohen Polonia e Çekia, por më tej edhe Gjermania, Rusia, Maqedonia, etj. Profili turistik i Vlorës ofron një sërë elementësh, ku përfshihen deti, lumenjtë, malet, lagunat, objektet historike e arkeologjike etj. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtues të Distriktit Detar të Vlorës. Në orët në vazhdim pritet të mbërrijnë në gjirin detar të Vlorës, mjetet lundruese të forcave ushtarake detare të Britanisë, që marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2013”. Në datën 2 shtator, pritet të zhvillohet një takim me mediat, ku do të prezantohen edhe drejtimet dhe synimi i kësaj stërvitjeje të përbashkët, pjesë e kuadrit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, që shtrihet në një periudhë kohore 11 gusht-13 shtator 2013. Në këtë stërvitje marrin pjesë rreth 3000 trupa britanike, kryesisht komando dhe forca detare, si dhe një efektiv prej 35 vetësh nga Forcat e Armatosura holandeze, të cilat operojnë së bashku me trupat britanike. Gjeografia e stërvitjes së përbashkët "Albanian Lion 2013" shtrihet në një territor të gjerë, nga rajoni stërvitor i Bizës, në Pashaliman, Kuçovë, Karaburun dhe Sazan. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të angazhohen me trupa dhe mjete të Forcave Detare, si dhe me efektive të Forcave Tokësore.