E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të tejkalohet vendimmarrja e OKB-së për ndërhyrjen në Siri

31-08-2013 / Gazeta 55

Të dhënat publike për krimet e regjimit sirian, reagon Kryeministri Sali Berisha: T’i jepet ndëshkimi i merituar regjimit të Sadamit të ri që përdori gazin kundër qytetarëve të vet

Në një status në profilin e tij në Facebook, kryeministri Sali Berisha duke iu referuar situatës në Siri, kërkon tejkalimin e vetos së Këshillit të Sigurimit. Në një kohë kur Rusia dhe Kina kundërshtojnë ndërhyrjen ushtarake në Siri, kryeministri shqiptar thotë se kjo është e vetmja rrugë për të mbrojtur OKB-në dhe Kartën e saj universale. Berisha shkruan se diktatori sirian al-Assad, ka përdorur gazin, nervin dhe ka helmuar për vdekje mbi 1400 fëmijë, gra, burra, civilë të pambrojtur në lagjet e Damaskut. OKB, sipas Berishës duhet të shndërrohet në mburojë botërore të regjimeve mizore diktatoriale. “Të dashur miq, deri sa të përdoret veto në Këshillin e Sigurimit për të mbrojtur regjime kasapësh ndaj kombeve të tyre, rruga e vetme për të mbrojtur OKB-në dhe Kartën e saj universale është tejkalimi i vetos së KS, ndëshkimi shembullor i atyre që kryejnë krime kundër njerëzimit, gjenocide me armë të shfarosjes në masë apo mjete të tjera. Siç faktojnë prova shumë të qarta, diktatori sirian al-Asad, ka përdorur gazin nervin dhe ka helmuar për vdekje mbi 1400 fëmijë, gra, burra, civile të pambrojtur në lagjet e Damaskut. Në mungesë të ndëshkimit të tij, OKB me Këshillin e Sigurimit të saj do të shndërrohej në mburojë botërore të regjimeve mizore diktatoriale.
Prandaj ne besojmë se SHBA, si vendi me përgjegjësi kryesore për paqen dhe sigurinë në botë, por edhe vendet e tjera të lira, kanë të drejtë dhe duhet të vendosin vlerat universale të mishëruara në Kushtetutat e tyre dhe Kartën universale të OKB-së mbi veton arbitrare të KS dhe t’i japin vendosmërisht ndëshkimin e merituar regjimit të Sadamit të ri që përdori gazin kundër qytetarëve të vet”, shkruan kryeministri Sali Berisha në rrjetin social, Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: Ndërhyrja ndërkombëtare në Siri e domosdoshme/Lufta në Siri, ku vetëm ditëve të fundit mijëra persona humbën jetën, në mesin e të cilëve qindra fëmijë, tregon më së miri nevojën e një intervenimi ndërkombëtar në këtë shtet, thuhet në një deklaratë për media të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. “Ndonëse janë dy raste të ndryshme Kosova dhe Siria, intervenimet në raste të tilla humanitare tregohen të jenë zgjidhje e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të demokracisë botërore”, thotë Thaçi.

MPJ: Shqipëria e gatshme të mbështesë SHBA e NATO-s

Ministria e Jashtme e Shqipwrisw deklaroi dje përmes një deklarate për shtyp se Shqipëria është e gatshme të mbështesë çdo veprim të SHBA-së dhe NATO-s për t’i dhënë fund masakrave në Siri. “Duke ndjekur me shqetësim situatën në Siri, Shqipëria - ashtu siç është thënë edhe në deklaratën e Kryeministrit, më datë 27 gusht 2013, - ka qenë dhe mbetet e gatshme të mbështesë politikisht, por dhe me të gjitha mundësitë, si vend anëtar i NATO-s, SHBA-të dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çdo veprim që duhet të ndërmerret për t’i dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe mbështetur opozitën siriane në ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike”, theksohet në këtë deklaratë. Sipas diplomacisë sonë, të dhënat e fundit të bëra publike nga Sekretari Amerikan, John Kerry, që dëshmojnë me fakte të pakundërshtueshme përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë së pafajshme civile, nga regjimi kriminal sirian, duhet të vënë në lëvizje komunitetin ndërkombëtar që të marrë masa të menjëhershme ndaj këtyre veprimeve barbare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›