E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasi iu morën paratë, OJQ-të e Ramës i japin komunitetit rom vetëm protesta

31-08-2013 / Gazeta 55

Në tre programet e strehimit që aplikohen në Bashkinë e Tiranës, me prioritet është trajtuar komuniteti rom dhe ai egjiptian

Bashkia e Tiranë po sulmohet ashpër nga disa manovra të fshehta të Partisë Socialiste, e cila përdor qarqe OJQ-je të stimulojë protesta në dyert e institucionit. Janë pikërisht ata njerëz, të cilët tentojnë të fshehin abuzimet e tyre apo t’u shpëtojnë përgjegjësive ligjore për shpërdorimin që i është bërë fondit prej 3 milionë euro, akorduar nga Bashkimi Europian në ndihmë të komunitetit rom, që stimulojnë protesta të papërgjegjshme dhe keqpërdorin komunitetin rom për interesa meskine.  Në një reagim të fundit të Bashkisë Tiranë për këtë çështje u theksua se qarqe politike të majta stimulojnë protesta për motive të dobëta politike. “Pasi kanë përfituar qindra, mijëra euro në emër të këtij komuniteti, këta persona prej ditësh po i keqpërdorin politikisht disa anëtarë të komunitetit rom, për të fshehur abuzimet e tyre dhe për t’i ikur përgjegjësive ligjore dhe morale. Shpërdorimi që i është bërë shumës prej 3 milionë euro të akorduar nga Bashkimi Europian, për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve rome dhe egjiptiane është një këmbanë alarmi për shoqërinë. Të paktën 60 apartamente mund të ishin ndërtuar, nëse këto para do të ishin përdorur për të ndihmuar drejtpërdrejt komunitetin rom dhe jo për të mbushur kontot bankare të disa prej personave të implikuar në këtë aferë të dhimbshme”, thuhet në deklaratën për shtyp. Në fakt  Bashkia e Tiranës ka trajtuar me prioritet problematikën e komunitetit rom sepse prej dy vitesh, në këtë institucion është ngritur zyra anti-diskriminim, e cila nuk ka ekzistuar më parë. Në tre programet e strehimit që aplikohen në Bashkinë e Tiranës, me prioritet është trajtuar komuniteti rom dhe egjiptian. Me propozim të kryebashkiakut Basha, Këshilli Bashkiak më datë 28.12.2012, vendosi që në përbërje të Komisionit të Strehimit, të ketë një përfaqësues nga Shoqata e Romëve për Integrim dhe Kundër Trafikimit të Fëmijëve. Pas eliminimit të problematikës së trashëguar nga administrata e mëparshme, si ligjore dhe teknike në ndërtimin e banesave sociale, Këshilli Bashkiak ka miratuar një sistem pikëzimi për përfitimin nga këto banesa. Në këtë sistem pikëzimi, komuniteti rom dhe egjiptian janë përcaktuar si kategori prioritare me 5 pikë. Me prioritet, Bashkia e Tiranës trajton kërkesat e komunitetit rom dhe egjiptian me bonus strehimi dhe përfitimin e kredive me interesa të buta për strehim. Ky komunitet është asistuar për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, për programet e strehimit. Numri i përfituesve është relativisht i vogël nga këto programe strehimi, pasi nuk arrijnë të plotësojnë kriteret e vendosura në VKM nr.574, datë 29.08.2012, si niveli i të ardhurave (informaliteti i realizimit të të ardhurave nga anëtarët e familjeve), mosregjistrimi i familjeve në njësitë vendore etj. Bashkia e Tiranës nuk mund të anashkalojë këto kritere ligjore. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian, ka gati projektin për rehabilitimin dhe rikualifikimin urban të dy blloqeve në Njësinë Bashkiake  Nr.4 dhe 8. Në këtë zonë të populluar më së shumti nga banorë të komunitetit rom dhe egjiptian, krahas ndërhyrjes tërësore në përmirësimin e  infrastrukturës, do të ndërtohet një shkollë dhe banesa sociale. Kjo është një nismë e qëndrueshme, me anë të së cilës Bashkia do të ofrojë arsimimin dhe strehimin për këtë komunitet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›