Drejtuesit: Në Velipojë, Partizani bëri thjesht detyrën
Përgatitjet e para të demave të kuq për ndeshjen e radhës, ku në kryeqytet presin Butrintin kanë nisur me një analizë të premierës me Adën, të pranishëm ishin edhe drejtuesit
Partizani u largua fitimtar nga Velipoja, por drejtuesit e kuq po mundohen me të gjitha mënyrat që të ulin vetëkënaqësinë në radhët e skuadrës. Në këtë vazhdë ka nisur edhe java stërvitore, e cila do të jetë në funksion të ndeshjes së radhës, ku në kryeqytet Partizani pret Butrintin.
Para fillimit të seancës stërvitore është kryer një analizë e transfertës së Velipojës, sfidë e cila u konkretizua me 3 pikë nga demat e kuq. Përveç stafit teknik në analizë morën pjesë edhe dyshja drejtuese Lulëzim Sallaku – Paro Laçi.
Në fillim të analizës fjalën e ka marrë administratori Sallaku, i cili i ka përgëzuar futbollistët për suksesin, i cili i është dukur disi i papritur. Gjithsesi, për administratorin Lulëzim Sallaku në Velipojë skuadra bëri thjeshtë detyrën, pasi nëse nuk fitohen sfidat me këto ekipe të vogla dhe pa shumë emër, atëherë do të jetë i vështirë realizimi i objektivit madhor.
Edhe në komunikimin e djeshëm administratori Sallaku i ka garantuar të kuqtë që aspekti financiar është i garantuar dhe atyre nuk do tu mungojë asgjë, prandaj ata duhet të jenë të fiksuar vetëm tek java stërvitore dhe të japin maksimumin në përballjet e kampionatit.
Trajneri Çoçlli Objektivi kryesor i trajnerit Nikolin Çoçlli për transfertën e Velipojës ishte që Partizani të mos mundej, pasi duke ditur vështirësitë që ofronte ky takim, edhe një pikë konsiderohej rezultat pozitiv.
Por të besuarit e trajnerit arritën të marrin maksimumin, gjë e cila i lejon të kuqtë të punojnë me qetësi për sfidën e radhës me Butrintin.Fillimi ishte i mbarë dhe në Velipojë arritëm më të mirën. Padyshim fitore të tilla janë ato që vendosin në fund të sezonit dhe për ne ishte i domosdoshëm një start pozitiv.
Por është thjeshtë 90 minutëshi i parë, kështu që në vijim duhet të përmirësohemi më shumë dhe duke i marrë ndeshjet një pas një dhe në fund të arrijmë objektivin që i kemi vënë vetes, ngjitjen në Kategorinë Superiore,- u shpreh dje për Sportin shqiptar trajneri i të kuqve, Nikolin Çoçlli.
