E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo zhgënjen në premierë, humbet 0 1 kundër Mamurrasit

Nga ANDI TANKU

Blutë nuk e fillojnë siç pritej Kategorinë e Parë, duke ia ndërlikuar vetes arritjen e objektivit të Superligës, por kjo edhe për meritë të Mamurrasit, të cilët u treguan të aftë për të marrë 3 pikë me shumë vlera

 

Shënues: Jushi 51

Dinamo: Lamellari, Traga, Dos Santos (Muça 48), Likmeta, Rexhepi, A. Kule (Djarmati 56), Serjani, Tiago, Sulejmani, Ferra, Hamzai (De Paula 56) Trajner: E. Zhupa

Mamurrasi: Myrtaj, Boçi, Begaj, Verli, Hima, Metaj (A. Malaj 69), Jushi, Pustina, Selaci, E. Allmeta (Gjocaj 60), Shima (Balla 46) Trajner: S. Bardhi

Kartonë të verdhë: Ferraj 23, Traga 62, / Myrtaj 23, Boçi 57, Begaj 21, Hima 53

Gjyqtarë: A. Beqiri, G. Bimi, A. Shkrela

Dinamo ka bërë një start negativ dje, në ndeshjen e parë të tyre në Kategorinë e Parë. Në sfidën e fundit të javës së parë të kësaj kategorie, përballë bluve ishte skuadra e Mamurrasit, e cila arriti një fitore të rëndësishme përballë një kundërshtari që synon rikthimin në Superligë. Sfida startoi në orën 16:00 dhe u zhvillua në stadiumin Selman Stërmasi, ku nuk mungoi as numri i lartë i tifozëve nga të dyja ekipet.

Mirëpo në fund, atyre që iu dha e drejta për të festuar ishin miqtë e Mamurrasit, të cilët shijuan fitoren 1-0 të skuadrës së tyre, ndërsa në kampin kundërshtar, zhgënjimi ka qenë i madh, pasi pritej një paraqitje më ndryshe e Dinamos dhe shpresonin për një nisje të mbarë të Kategorisë së Parë.

Një gol i Jushit në minutën e 51-të i ka dhënë tri pikët e para Mamurrasit, duke shtangur jo pak pankinën e bluve. Gjatë takimit u pa një Dinamo, e cila dukej qartë se reparti që ka më tepër probleme është mbrojtja, pasi brishtësia dhe pasiguria e treguar nga ana e lojtarëve të këtij reparti, solli pikërisht pësimin e një goli që i mjaftoi miqve për të surprizuar në kryeqytet.

Pjesa e parë Dinamo e nis me më tepër guxim për të sulmuar dhe për të kërkuar shënimin e një goli që mund ti jepte siguri në minutat në vazhdim, po janë lojtarët e Mamurrasit, të cilët nuk lënë hapësira për sulmuesit vendas. Të besuarit e trajnerit Zhupa kërkonin më tepër të fitonin duelet e shpejtësisë me kundërshtarët, pasi aksionet e rrezikshme vinin gjithnjë nga krahët, ku Kule dhe Ferraj marrin iniciativat e para.

Por ajo që mungon është qartësia dhe qetësia njëkohësisht, para portës. Kjo tablo e sfidës u pa për më shumë se 30 minuta, por që nuk shënohet ndonjë rast i veçantë për tu përmendur, pasi edhe Mamurrasi mbrohet me të gjitha forcat dhe futbollistët janë të saktë në ndërhyrjet në afërsi të zonës së tyre.

Pikërisht deri në këto çaste, pasi Ferraj gjen mundësinë e parë, duke i shpëtuar mbrojtjes mike, ku pasi bën një rrotullim gjuan me të majtën, por vetëm sa drithëron portierin Myrtaj, sepse topi i goditur prej tij shkon mbi traversë. Dinamo jep sinjalin e parë, por Mamurrasi me kalimin e minutave e kupton shumë mirë shprehjen Mbrojtja më e mirë është sulmi dhe beson se mund të marrë më shumë nga kjo sfidë se një barazim, pasi fillon të duket në gjysmëfushën e vendasve.

Golin e avantazhit, të besuarit e trajnerit Bardhi mund ta kishin gjetur që në pjesën e parë, kur Selaci në minutën e 36-të është i pafat, pasi gjuajta e tij përfundon në traversë. Pas këtij momenti edhe blutë e kuptojnë se janë duke rrezikuar, por për çudi ritmi i lojës së tyre fillon të bjerë dhe në minuta e mbetura të pjesës së parë do të zhvillohej një lojë më tepër në gjysmëfushë, pa ndonjë rast të rrezikshëm nga të dyja skuadrat.

Pjesa e dytë Fillon me një ndërrim nga ana e miqve. Trajneri Bardhi hedh në fushën e lojës Ballën për Shimën. Loja është e njëjtë, pa ndonjë moment të veçantë. Zëvendësimi i parë për Dinamon do të vinte në minutën e 48-të, kjo pas dëmtimit të brazilianit Dos Santos, i cili i lë vendin Muçës.

Por vetëm një minutë më parë se të linte fushën e lojës, mbrojtësi brazilian për pak sa nuk ndëshkoi skuadrën e tij pas një gabimi të bërë në hyrje të zonës, por Jushi dhe Mamurrasi janë të pafat. Kjo pasi topi i goditur prej sulmuesit mik përfundon në shtyllën pingule të portierit Lamellari. Por goli nuk do të vononte për miqtë, pasi është pikërisht Jushi që do të shënonte në minutën e 51-të.

Topi i ardhur nga një goditje këndi e gjen mbrojtjen dinamovite të papërgatitur, duke mos e larguar atë siç duhet, por sulmuesi i Mamurrasit do të tregohej i vëmendshëm duke realizuar golin e avantazhit për të tijtë. Entuziazmi pas këtij momenti është i ligjshëm, por trajneri Bardhi u kërkon lojtarëve më tepër përqendrim, pasi edhe Dinamo tashmë nuk ka më çfarë të humbasë dhe hidhet në sulm me të gjitha forcat.

Numri 1 i stolit të bluve hedh në fushë kroatin Djarmati dhe brazilianin De Paula, përkatësisht për A. Kulen dhe Hamzain. I sapo rikthyeri në skuadër, mesfushori Djarmati i jep një ritëm tjetër lojës, por përsëri mungon finalizimi nga ana e kryeqytetasve. Likmeta dhe Tiago provojnë, por portieri mik Myrtaj është në një ditë të mirë dhe nuk lejon prekjen e portës që ai mbron. Minuta e 88-të do të ishte edhe momenti kur do të vinin edhe kontestimet e shumta nga ana e futbollistëve të Dinamos.

Pas gjuajtjes së Serianit në drejtim të portës mike, blutë pretendojnë se topi është ndalur me dorë nga njëri prej mbrojtësve të Mamurrasit, por për gjyqtarin kryesor nuk është kështu. Tensioni është i pranishëm, por vendimi nuk ndryshon. Me kaq përfundon dhe kjo sfidë, ku edhe në 5 minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari i katërt, përsëri rezultati nuk ndryshon. Përfundimisht, Dinamo-Mamurrasi 0-1.

Trajneri Eduard Zhupa: Takim zhgënjyes, për gjykimin skam ankesa

Në pjesën e parë të takimit nuk pashë një skuadër që të kishte ego për të fituar, ndërsa në të dytën lojtarët reaguan, duke e sulmuar kundërshtarin. Mamurrasi arriti të mbrohej mjaft mirë, duke shënuar edhe për një gabim tonin në mbrojtje, -shprehet trajneri Zhupa, i cili i pyetur në lidhej me ndonjë kontestim të mundshëm nga ana e tij me gjykimin deklaroi:

Nuk kam asnjë rezervë për gjykimin. Tani duhet të përqendrohemi te takimi i radhës, pasi luajmë në një transfertë të vështirë në Gramsh. Në këtë sfidë do të luajnë lojtarët që janë më mirë fizikisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›