E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtuesit e rinj në 350 njësi vendore, mbetën edhe 34

Dita e katërt e numërimit të votave ka zbardhur emrat e drejtuesve të pushtetit lokal në 350 njësi vendore, prej 384 që janë në total. Rezulton se Partia Socialiste dhe koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” ka arritur të dalë fitues në 137 njësi vendore. Prej tyre numërohen 34 Bashki dhe 103 komuna në rang vendi. Dita e djeshme ka zbardhur fitoret në disa njësi vendore në Shkodër dhe në Elbasan. Lajmi më i rëndësishëm për socialistët ishte konfirmimi përfundimtar i Bashkisë së Durrësit, ku fitoi mandatin e dytë Vangjush Dako. Sakaq, koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike dhe nën siglën “Aleanca për Qytetarin” arriti të grumbullojë vota sa për të fituar në total 203 njësi vendore. Ndërkohë konstatohet se demokratët në pushtet kanë marrë mandatin për të qeverisur në 30 bashki dhe në 173 komuna në rang vendi. Kandidatët e Partisë Demokratike kanë arritur të marrin fitore dje në disa komuna, në qarkun e Elbasanit, Shkodrës dhe të Gjirokastrës. Pika më kritike e këtyre zgjedhjeve ka mbetur kryeqyteti. Ende numërohet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa udhëheq kandidati demokrat Lulzim Basha. Ende nuk janë numëruar as votat për kryetarin e 11 njësive vendore në nivel minibashkish në territorin e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›