Proporcionali, Aleanca për Qytetarin 69 vota para Aleancës për të Ardhmen
Thellohet me 69 mijë vota diferenca midis koalicioneve në rang kombëtar, në favor të Aleancës për Qytetarin. Kauza dyvjeçare e votës së lirë, akuzat për korrupsion apo edhe ngjarjet e 21 Janarit nuk janë perceptuar nga zgjedhësit shqiptarë si çështje për të cilat mazhoranca e djathtë duhej të dënohej me votë. Kjo pasi jo vetëm në Tiranë, ku kandidati i së djathtës është në avantazh, por edhe në gjithë vendin koalicioni i drejtuar nga demokratët ka marrë një votë që hedh poshtë çdo pretendim të socialistëve qoftë për zgjedhje të parakohshme, qoftë për të qenë mazhoranca morale në Shqipëri.
Vota popullore
Ndryshe nga sa paraqitet situata për Këshillin e Bashkisë së Tiranës, ku kemi një ekuilibër thuajse total midis dy koalicioneve, realiteti në rang vendi paraqitet krejt ndryshe. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar dje të dhënat për votën proporcionale për të gjitha njësitë ku ka përfunduar numërimi, ku rezulton se koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” ka mundur të marrë plot 661 889 mijë vota, ndërkohë koalicioni i majtë Aleanca për të ardhmen ka siguruar vetëm 592 983 vota. Pra kemi të bëjmë me një diferencë që ndryshe nga një ditë më parë është thelluar në plot 69 mijë vota. Megjithatë duket se diferenca që paraqitet mes koalicioneve nuk reflektohet në mbështetjen që kanë dy forcat e mëdha politike. Kjo pasi socialistët vijojnë të jenë një forcë që, krahasuar me të gjitha forcat e tjera politike, gëzon mbështetjen më të madhe në vend. Ajo që prish planet e socialistëve janë aleatët, të cilët përbëjnë koalicionet përkatëse.
Aleatët
Megjithëse me më pak vota se socialistët, demokratët vijojnë të jenë sërish mazhorancë në votën popullore. Kjo falë mbështetjes së aleatëve që ka në koalicion, ku LSI luan një rol deciziv në këtë mes. Vetëm deri tani LSI i ka dhënë koalicionit afro 90 mijë vota, çka jo vetëm rikuperon diferencën që ekziston mes PD-së dhe PS-së, por i jep koalicionit të saj një avantazh të ndjeshëm. Një rol po aq të rëndësishëm në këtë rezultat e luan dhe partia e çamëve, PDIU, e cila në të gjithë vendin ka mundur të rrisë ndjeshëm mbështetjen, duke kaluar shifrën e 50 mijë votave. Po ashtu aleatë me peshë të konsiderueshme PD ka dhe republikanët dhe legalistët, të cilët kanë çuar në hambarin e PD-së rreth 50 mijë vota së bashku (bëhet fjalë për të dhëna të pjesshme). Ndërkohë që socialistët nga ana tjetër duket se kanë qenë të vetëm në këtë garë, pasi aleatët e saj me përjashtime të pakta, kanë një mbështetje fare modeste. Ndryshe nga sa më parë, tashmë vendin e tyre në forcat e koalicionit të majtë, e ka zënë PDS e Paskal Milos me afro 50 mijë vota dhe më pas vijnë socialdemokratët e Skënder Gjinushit më afro 30 mijë vota. Të gjithë aleatët e tjerë në rang republike nuk e kalojnë shifrën e 30 mijë votave mbështetje.