E Diel, 1 Nëntor 2026

“Drejtuesit shqiptarë të hedhin sytë nga talentet në Evropë”

Autori i Lajmit: red.
“Berluskoni nuk mund të investojë më për Milanin”

Ish-trajneri italian i Milanit, Interit e Lacios, Alberto Zakeroni, ka dhënë dje leksone për trajnerët shqiptarë, i ftuar nga Federata Shqiptare dhe në kuadër të projektit të UEFA-s, “Kursi A”. Tekniku italian pas përfundimit të seminarit ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën tonë, ku u ka bërë thirrje drejtuesve të futbollit shqiptar që të drejtojnë sytë nga futbollistët talente që aktivizohen nëpër akademitë dhe ekipet zinxhir të Italisë dhe vendeve të tjera në Evropë, pasi vetëm kështu mund të ketë të ardhme futbolli kombëtar shqiptar dhe shpresa për kualifikim në kompeticionet ndërkombëtare të Kombëtares sonë. Ai ka mohuar që të ketë pasur ofertë nga FSHF-ja për të drejtuar bankinën shqiptare. Zak, gjithashtu, ka shpjeguar edhe arsyet se përse u eliminua Kombëtarja italiane, se përse Milani nuk është favorit për sezonin futbollistik që vjen, pse nuk duhet të blejë Ronaldinjon etj. Po ashtu ai ka shpjeguar se pse Berluskoni nuk mundet të investojë për merkaton e Milanit këtë verë.

Zakeroni, a mund të na jepni një përshtypje tuajën për trajnimin e sotëm dhe trajnerët shqiptarë për të cilët dhatë leksione?

“Po unë pata të bëj me ta vetëm 5 orë. U mundova që të transmetoj tek ta numrin më të madh të mundshëm të njohjeve të mia në fushën e futbollit si dhe këshillave të ndryshme. Eshtë hera e parë që unë vij në Tiranë dhe pikërisht në Shqipëri, dhe s kam pasur kohë të njihem me anën profesionale të tyre. Një prezencë shumë e mirë dhe e madhe nga ana e trajnerëve shqiptarë, si dhe interesi i tyre për këtë trajnim. Në këto 5 orë të trajnimit dhe leksioneve ka qenë një pjesëmarrje dhe përkushtim i madh nga ana e tyre, për sa u përket të gjitha çështjeve që diskutuam. Duket qartë që ata ndiejnë nevojën e njohjes sa më mirë të futbollit. Unë u thashë atyre që nuk kam ardhur këtu për t i mësuar, por për t u bërë atyre të njohura eksperiencat e mia profesionale 25-vjeçare si trajner në Itali. Shpresoj të kem qenë i dobishëm dhe ato që u thashë në sallë ata i kanë parasysh, pra mua m u dukën të përgatitur trajnerët shqiptarë”.

A i njihni lojtarët shqiptarë që luajnë në Evropë, dhe sidomos Taren, Bogdanin, etj., a keni pasur kontakte me ta? Dhe nëse mund të na jepni një përshtypje?

“Jo, nuk i njoh, pasi nuk i kam pasur asnjëherë si lojtarë, por i kam hasur ata si kundërshtarë. Janë lojtarë të mirë, por ka edhe lojtarë të tjerë që luajnë nëpër Evropë, të cilët janë të mirë. Futbolli shqiptar më duket se vitet e fundit ka bërë hapa përpara, u mungon vetëm shpërthimi. Për mendimin tim, ka disa lojtarë, talente, të cilët luajnë futboll dhe janë të apasionuar. Drejtuesit e futbollit në Shqipëri të drejtojnë sytë nga futbollistët që po rriten në vendet e Evropës Perëndimore, pasi vetëm në vendin tim, Itali, dhe sidomos në Çezena ka shumë shqiptarë të talentuar që duhen parë me vëmendje. Shqiptarët janë të apasionuar me futbollin dhe presin që Shqipëria të kualifikohet për Kampionatin e ardhshëm Evropian”.

A keni pasur ndonjë ofertë në të kaluarën nga Federata Shqiptare apo keni kontaktuar me ta, dhe a mund të shpresojë Shqipëria një ditë se do të uleni në bankinën e saj?

“Unë personalisht nuk kam pasur asnjëherë kontakt me Federatën Shqiptare të Futbollit. Nuk e di se mund të ndodhë. Unë jam këtu për trajnimin e teknikëve tuaj, në të ardhmen është për t u parë. Sot për sot, jam më i predispozuar të drejtoj një klub futbolli. Unë mendoj se kur një trajner duhet të drejtojë një skuadër kombëtare, duhet të drejtojë vetëm atë. Kështu që në fund të karrierës, kur një trajner do të pushojë së drejtuari një skuadër kampionati, dhe nëse ekzison akoma pasioni për futbollin, atëherë do të vendosë për të drejtuar edhe një kombëtare”.

Janë të shumtë italianët që drejtojnë bankinat e kombëtareve të huaja, si Trapatoni, Kapelo etj. A e keni menduar edhe ju një gjë të ngjashme me ta?

“Është e lehtë që në vazhdim të shkoj për një eksperiencë jashtë Italisë. Është më e lehtë të drejtosh në një vend tjetër sesa në Itali. Në Itali, mbi të gjitha skuadrat e mëdha, i kam drejtuar të gjitha: Milanin, Interin, Lacion, më mungon vetëm Juventusi”.

Kush është për ju trajneri më i mirë italian në Itali?

“Unë kam një konsideratë të madhe për teknikun e Juventusit, Ranierin. Për mua, është një trajner që është nënvlerësuar në Itali, për mua është shumë, shumë i mirë. Pasi për të folur për Lipin dhe Kapelon është shumë e thjeshtë”.

Milani ka fituar kampionatin e fundit të vet me ju më 1999. Cili ka qenë sekreti i Milanit të erës “Zakeroni”?

“Dëshira për t i bërë të tjerët të çuditen, gjë që jua thashë edhe trajnerëve shqiptarë, dëshira për t i mrekulluar të tjerët. Milani sot nuk e ka këtë dëshirë”.

Zakeroni, përse keni krahasuar çështjen Ronaldinjo, kalimin e tij tek Milani me blerjen e Redondos dhe Rivaldos?

“Jeni të informuar, e shoh! Jo, unë thashë se, nëse flisnim për blerje të mëdha. Interi për shembull, po bën tratativa për të marrë Lampardin, një lojtar i fortë, edhe pse futbollistët anglezë nuk kanë qenë edhe aq besnikë. Nëse blejnë tani Ronaldinjon, unë thashë se, nëse Milani do të merrte Ronaldinjon e tre viteve më parë, do të ishte një blerje e madhe. Por nëse marrin atë të një viti më parë, nuk ka ç të japë më. Pasi si Redondo, Rivaldo, Ronaldo janë lojtarë të mëdhenj, por iu bashkuan Milanit në fund të karrierës së vet. Ronaldinjo nuk është edhe aq i vjetër sa të sipërpërmendurit dhe, nëse nuk ecën mirë një vit, do të ecë në të dytin, kjo varet nga stimujt. Ai nuk diskutohet për sa u përket vlerave futbollistike, do të varet nga motivimi i tij, nëse do t u bashkohet “kuqezinjve”. Milani, për mua, në sensin e lojtarëve që ka, nuk jep asnjë motivim si skuadër”.

Organika aktuale e Milanit mund të bëjë që skuadra të luftojë për kampionat sezonin e ardhshëm?

“Me këtë grup lojtarësh, sot për sot, për mua nuk është favorit”.

Ku gaboi Donadoni në Evropianin që sapo përfundoi?

“Perfekt nuk është askush. Ka teknikë që gabojnë më pak dhe më shumë. Unë mendoj se Donadoni nuk ka gabuar dhe aq shumë, pati një kushtëzim i cili ndikoi në mbarëvajtjen e skuadrës. Kishte shumë lojtarë që nuk ishin në formën e duhur. I referohem këtu Materacit, Gatuzos, Kamoranezit, Tonit gjithashtu, të gjithë lojtarë shumë të rëndësishëm që nuk ishin në lartësinë e duhur. Dhe atje më pas në grubullim, në pak ditë është e vështirë të kthehen në formë. Më pas, sipas mendimit tim, kombëtarja jonë mbërriti në Evropian pa grintën e duhur, madje, u dukej vetja shumë të bukur”.

Mendoni se Moxhi influenconte, në periudhën që ju ishit trajneri i Interit, për të mos fituar gjë skuadra “zikaltër”?

“Mua nuk më ka shkuar asnjëherë një gjë e tillë nëpër mend. Nese mendoja në një gjë të tillë, do të pushoja së ushtruari profesionin e trajnerit”.

Do ta shohim këtë sezon Zakeronin në një nga bankinat e Serisë A?

“Unë nuk dua të drejtoj një skuadër të krijuar, po ta krijoj vetë. Tashmë të gjitha skuadrat janë kompletuar për sezonin e ardhshëm. Është shumë e mundur që të qëndroj edhe një vit tjetër pa bankinë dhe të mos pranoj të drejtoj asnjërën. Dhe do të ishte më mirë për mua, sesa të marr një skuadër të krijuar, të pranoj ndonjë ofertë nga vendet jashtë Italisë”.

A kanë të drejtë tifozët e Milanit kur thonë se duhet të largohet presidenti Berluskoni, duke parë se kanë formuluar para disa ditësh edhe një peticion për këtë çështje?

“Unë nuk e di. Mendoj se Berluskoni skuadrës së futbollit të Milanit i ka dhënë shumë emocione dhe trofe. Ai tashmë është Kryeministër dhe merret me punët politike, nuk është se ka shumë mundësi për të bërë shpenzime të mëdha për “kuqezinjtë”. Unë gjithmonë ia kam thënë, dhe i kam kërkuar futbollistë me stimuj dhe jo vetëm lojtarë të mëdhenj apo ish- të mëdhenj”.
Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›