E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drenica, e sigurt

Drenica e ka bërë një hap të madh drejt mbetjes në Superligë, pasi e ka mposhtur skuadrën tjetër të rrezikuar, Ballkanin, me rezultat bindës 5:1. Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe KEK-u, si mysafir i Besës, derisa kampioni aktual, Trepça pësoi disfatë në Prizren nga Liria. Nga Express më 07 maj 2011 në ora 18:29

Drenica të shtunën e ka bërë një hap mjaft të madh drejt arritjes së objektivit – mbetjes në Superligën e Kosovës në futboll. Kuqezinjtë e kanë mposhtur Ballkanin me rezultat të thellë, 5:1, në kuadër të xhiros së 27-të të Superligës.

Në fakt, Ballkani e ka nisur mirë takimin, duke kaluar i pari në avantazh prej 0:1 me golin që e ka shënuar Xhavit Berisha në minutën e 4-t. Mirëpo, vendasit u këndellën dhe ia dolën t’i barazojnë shifrat në 1:1 në minutën e 32-të me golin që e ka realizuar Hysni Kabashi.

Vendasit kaluan për herë të parë në avantazh prej 2:1, në minutën e 45-të, me një gol të bukur që e shënoi Taulant Dajaku. Kurse, epërsinë në 3:1, drenicasit e shtuan në minutën e 47-të, nëpërmjet Dajakut, i cili i saktë u tregua nga pika e bardhë.

Kurse, golin e katërt për kuqezinjtë e shënoi Besim Bajraktari në minutën e 72-të për rezultat 4:1, e golin e fundit për Drenicën e shënoi nga penaltia Visar Tahiri për rezultat përfundimtar, 5:1.

Kjo fitore ia ka shtuar shumë gjasat Drenicës për të mbetur në Superligë, derisa Ballkanit tani i janë vështirësuar edhe më shumë punët në këtë drejtim.

Besa – KEK-u1:2

KEK-u ka shënuar fitore të rëndësishme në Pejë duke e mposhtur Besën me rezultat të ngushtë, 1:2. Në pjesën e parë, mysafirët dominuan plotësisht, dhe pas shumë rasteve, në minutën e 25-të kaluan në avantazh prej 0:1 me golin që e ka shënuar Florim Bërbatovci. Mirëpo, pejanët ia dolën në minutën e 43-të ta barazojnë rezultatin në 1:1 me golin që e realizoi Krenar Vokshi, i cili u shërbye mirë nga Duraku. ‘Elektricistët’ e shënuan golin e fitores në minutën e 59-të, nga penaltia nëpërmjet Bërbatovcit për rezultat përfundimtar 1:2, pasi pejanët deri në fund nuk ia dolën ta shënojnë golin e barazimit përkundër përpjekjeve.

Liria – Trepça3:0

Liria pa mund të madh e ka mposhtur kampionin në fuqi, Trepçën, me rezultat 3:0. Prizrenasit kanë kaluar në epërsi prej 1:0 në minutën e 3-të nëpërmjet Agron Skerajt. I njëjti futbollist shënoi edhe një herë për bardhezinjtë në minutën e 28-të për 2:0. Kurse, rezultatin përfundimtar të takimit në 3:0 për vendasit e vuri Luigj Buqaj, me një gol që e shënoi nga një goditje dënimi tre minuta pa përfunduar ndeshja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›