E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drenica për sefte

Pavarësisht shumë mungesave, Drenica synon që të shtunën ta shënojë fitoren e parë në këtë sezon, ndonëse përballë do ta ketë njërën prej skuadrave më cilësore në vend, Hysin. Kuqezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë këtë objektiv, sepse edhe kampioni aktual aspiron që në Skenderaj t’i fitojë pikët e plota. Nga Valon Konushevci më 10 shtator 2011 në ora 12:29

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e katërt e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës, si zakonisht, do të zhvillohen disa duele mjaft interesante. Ndeshje e tillë do të zhvillohet të shtunën në Skenderaj në mes Drenicës dhe kampionit aktual, Hysit.

Kuqezinjtë nuk e kanë nisur aq mirë edicionin e ri. Drenicasit fillimisht kishin barazuar në dy ndeshjet e para të kampionatit të ri, të zhvilluara para tifozëve të tyre. Ndërsa, në xhiron e fundit, ata pësuan humbje në Gjakovë nga Vëllaznimi.

Dhe, të shtunën Drenica sërish do të luajë në shtëpinë e vet. Kësaj radhe do të ndeshet me një kundërshtar shumë të fortë. Përballë do ta ketë kandidatin për titull të kampionit, përkatësisht kampionin në fuqi, Hysin. Megjithatë, skuadra e Tahir Lushtakut synon ta shënojë fitoren e parë në këtë kampionat.

“Drenica gjithmonë aplikon lojë të mirë kur ndeshet me skuadra të mëdha, siç është në këtë rast Hysi. Jemi të vetëdijshëm se nuk do ta kemi lehtë përballë kampionit në fuqi. Punët na u kanë vështirësuar edhe më shumë pasi pesë lojtarë kyç nuk do të luajnë shkaku i lëndimeve. Megjithatë, unë kam shumë besim te ata lojtarë që do të zbresin në fushë dhe me një lojë kolektive, disiplinore dhe me një angazhim maksimal besoj se do ta shënojmë fitoren e parë para tifozëve tanë”, deklaroi Lushtaku për Express.

Mirëpo, kuqezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë objektivin, sepse edhe Hysi synon që në Skenderaj ta shënojë fitoren e tretë në këtë sezon. Bardhezinjtë deri më tani i kanë shënuar dy fitore bindëse, derisa e kanë pësuar një disfatë nga Prishtina. Trajneri i llapjanëve, Fadil Ademi, thotë se skuadra e tij do të përpiqet t’i fitojë tri pikë të reja përballë drenicasve në rrugën drejt mbrojtjes së titullit të kampionit.

“Jemi të vetëdijshëm se na pret një sfidë e vështirë. Drenica ishte gjithmonë skuadër e fortë dhe tani është akoma më e fortë, pasi i ka angazhuar disa përforcime kualitative. Megjithatë, ne nuk do të dorëzohemi. Synojmë një rezultat sa më pozitiv nëpërmjet një loje të mirë. Fitorja është prioriteti ynë, por epilogun le ta përcaktojë rrjedha e lojës”, ka thënë Ademi.

Ndërkohë, po të shtunën në Prizren, Lira do të mundohet ta shënojë fitoren e parë përballë Lepencit, pas tri humbjeve të njëpasnjëshme. Kurse në Kastriot, KEK-u do ta sfidojë Besën. Të dielën Drita ndeshet me Vëllaznimin, derisa Prishtina e pret Trepçën, sikurse Trepça ‘89 që do të jetë nikoqire e Gjilanit.

Superliga – Xhiroja e 4-të
E shtunë
Drenica – Hysi
Liria – Lepenci
KEK-u – Besa
E diel
Drita – Vëllaznimi
Trepça 89 – Gjilani
Prishtina – Trepça
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›