E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dreri i demokristianëve

 

Demokristianët janë bërë çorap. Nuk dinë këtë të mbajnë për kryetar, kë të vënë në krye. Nuk kanë faj se kanë patur një histori të trazuar, që nuk është as demo, sepse fitoi më i forti dhe jo ai që kishte votat, dhe as kristiane, sepse lidershipi nuk ngjan hiç me atë të thuhet në Bibël, që kur të qëllojnë në njërën faqe, ktheji tjetrën.

Ja p.sh., herën e fundit, sërish ndodhi hemorragjia e radhës, që as ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, me gjithë atë infrastrukturë shëndetësore që ka pas, nuk mund ta ndalë. Iku një kryetar grupi, erdhi një tjetër. Del zëvendësministri i Jashtëm dhe kërkon që të ikë kryetari. Nëse doni të dini se çfarë ndodh te foleja e demokristianëve, "Spiuni" ju sugjeron të merrni rrugën për në Kodrat e Liqenit Artificial. Jo për të vajtur te Gjiri i Kurvave, por te një qoshe tjetër. Merrni rrugën përballë Fakultetin Histori-Filologji dhe aty ku ka tre drejtime, kthehuni majtas. Shkoni te lokal "Dreri". Është shumë i këndshëm, se është në mes të gjelbërimit, pale, ka edhe pallonj, ndërsa majmuni nuk dihet se ku ka përfunduar. Po pse atje do thoni?

Atje, se është lokali i demokristianit Jak Ndokaj, deputet prej shumë legjislaturash. Aty do të gjeni edhe partinë e Ndokës. Ulen sipër në kat të dytë te veranda. Në fillim ulen te tavolina e qoshit të djathtë, pastaj kur bëhet gati dreka, ulen mbrapa te tavolina e gjatë me tetë karrige.

"Spiuni" qëlloi njëherë kur ish-kryetari i PDK-së, Nikollë Lesi, ishte grindur publikisht me Nard Ndokën, por të dy u ulën të qeshur në një tavolinë dhe hëngrën e pinë sa u ngopën. Pas disa ditësh, Lesi formoi LDK-në dhe Ndoka rifitoi qetësinë në krye të PDK-së. Të ndodhë sërish kështu? Shkoni te "Dreri" se atje e mësoni!

400-shja e ministrave

Zyrtarisht, kemi qeveri në "dietë". E ka thënë me qindra herë kryeministri Sali Berisha, për t'u mburrur se ka qeverinë më të vogël në historinë e Shqipërisë, duke ulur në mënyrë drastike shpenzimet buxhetore. Por "Spiuni" nuk e ha këtë koqe ulliri. U ul dhe bëri disa llogari. Berisha ka 14 ministra, edhe një herë aq zëvendësministra. Ka drejtorë të lartë. Ka nëndrejtorë. Ka kryetarë të enteve publike. Ka kryetarë të institucioneve të pavarura kushtetuese. Ka zëvendëskryetarë. Ka dhjetëra pushtetarë vendorë. Ka shumë prej zyrtarëve që janë anëtarë në dhjetëra borde njëherësh. Llogaritë janë tronditëse. Këta zyrtarë, zyrtarisht firmosin me rroga ministrash, paçka se për rrogën as nuk duan t'ia dinë. Bëhen 400 ministra.

"Spiuni" iu qa një punonjësi të vjetër të administratës publike dhe ai i tregoi një ngjarje të vërtetë, që ngjan më shumë si anekdotë.

Kryetari i një komune në Mal të Zi, i ktheu vizitën homologut kinez. E pritën me nderime të mëdha, me vajza që tundnin lulet shumëngjyrëshe dhe shpërndanin buzëqeshje sybajame.

-Sa banorë ka komuna juaj, zoti kryetar,- e pyeti malazezi mikun kinez.

-Aktualisht jemi 3 milionë banorë,- tha kryetari i komunës, i cili i bëri të njëjtën pyetje.

-Po pak janë, por gjithë vendi, bëhemi mbi 600 mijë banorë,- ia ktheu malazezi.

-Ou, po pse nuk i more të gjithë me vete?!- u çudit kinezi.

Morali: Këtu të gjithë duan të jenë ministra dhe të vjedhin sa më shumë ata që mbeten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›