Drews: Referendumi në veri mund të sjellë konflikt

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews deklaron se i druhet situatave konfliktuale në veri, në kohën kur atje do të mbahet referendum. Gjenerali gjerman thotë se shqiptarët mund të ndihen të provokuar, por thekson se tensionet duhet të parandalohen me të gjitha mënyrat. Ai pohon se Beogradi ende është duke financuar jetën publike në veri dhe se disa forca atje refuzojnë integrimin për shkak të frikës se do të humbasin të ardhurat që gjenerohen nga kontrabanda dhe shteti serb.
Referendumi i paralajmëruar nga serbët e veriut, me anë të të cilit do të vendoset nëse serbët e katër komunave veriore do të pranojnë apo jo institucionet e Kosovës, do të mbahet më 15 shkurt. Lajmi u konfirmua nga Marko Jakshiç, përfaqësues lokal i serbëve të veriut, që përfaqëson Partinë Demokratike të Serbisë që drejtohet nga ish-kryeministri Vojisllav Koshtunica. I vetmi përfaqësues serb që ka kundërshtuar deri tani referendumin ka qenë përfaqësuesi i Leposaviçit, megjithatë edhe ai duket se ka filluar të bindet, shkruajnë mediat kosovare.
Ndërsa Kërstimir Pantiç, kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, thotë se referendumi nuk e dëmton Serbinë, dhe për këtë arsye ai do të zhvillohet. Ndërkaq, Beogradi zyrtar ka vazhduar të kundërshtojë organizmin dhe mbajtjen e këtij referendumi, ku sipas presidentit Boris Tadiç, ky referendum është i panevojshëm, për shkak se institucionet e Kosovës, Serbia nuk do t`i pranojë kurrë.