Driant Zeneli, homazh Felinit në një ekspozitë
“More to come” është ekspozita në të cilën do të paraqiten veprat që artistja italiane Silvia Giambrone dhe artisti shqiptar Driant Zeneli kanë realizuar gjatë qëndrimit të tyre në hapësirat e UpLoad Art Project, projekti i arteve vizive të Orkestrës J. Futura. Në këtë ekspozitë, e cila do të çelet më 27 shkurt, Driant Zeneli paraqitet me videon “Prova d'Orchestra”, homazh ndaj filmit me të njëjtin titull të regjisorit të madh italian Federico Fellini. Në këtë punim anëtarët e orkestrës të ftuar në një darkë kthehen në protagonistë të pandërgjegjshëm të saj. Rastësia e ngjarjeve që verifikohen gjatë mbrëmjes janë si limfa, nga e cila nis montazhi i Zenelit. Për artistin ky punim është një përqasje shumë e afërt me imazhin kinematografik. Përmes ekuilibrit të marrëdhënieve të ngrohta mes instrumentistëve e muzikës dhe mes raporteve të ndërtuara në një darkë informale, me inkuadraturat dhe impostimin barok të imazhit, Zeneli aktivizon atë mekanizëm të lëvizjes së domethënies që ndërton fillin poetik të veprës së tij. Ndërsa kolegia e tij, Silvia Giambrone, do të paraqesë një performancë që e ka realizuar gjithashtu me disa anëtarë të orkestrës: e frymëzuar nga një poezi e Majakowskij në veprën e saj, muzikantët aktivizojnë fuqitë zanore të trupit të saj në një ndërveprim konstant mes aftësive të tyre si instrumentistë, duke e përfshirë edhe vetë artistin në një marrëdhënie totale me muzikën. Silvia Giambrone jeton mes Romës dhe Berlinit. Artistikisht ajo ka zgjedhur të shprehet përmes video-instalacionit. Edhe pse një artiste e re, Silvia është fituese e disa çmimeve, mes të cilëve ai “Epson” në Venecia në vitin 2009. Ndërsa artisti shqiptar, Driant Zeneli, i lindur në Shkodër përdor kryesisht fotografinë dhe videon si mjete shprehëse. Veprat e tij janë momente reflektimi, çaste të ndërgjegjshme që i referohen shoqërisë moderne dhe mbi mekanizmat e natyrës njerëzore, duke ironizuar mbi mënyrën e të jetuarit të së përditshmes. Driant Zeneli është shpallur fituesi i konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2008” në Tiranë, ndërsa në vitin 2009 ka fituar “Young European Artist” në Trieste Contemporanea.
#