Drita Pelinku: Nuk e vuaj vetminë
Drama Përjetësisht dashuria…, shkruar posaçërisht për aktoren Drita Pelinku nga Mihal Luarasi, ngjitet këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar. Pjesa trajton problemin e mprehtë të braktisjes së moshës së tretë, disa herë pasuar me një fund tragjik
Oliverta Lila
Aktorja Drita Pelinku dhe regjisori Mihal Luarasi i kthehen së bashku skenës pas 56 vjetësh. Dikur, si aktore e re ajo luante rolin e Luiza Miller tek Intrigë e dashuri. Këtë fundjavë ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar si Zarina në dramën Përjetësisht dashuria…, shkruar nga Luarasi, i cili ka bërë njëkohësisht edhe regjinë. Teksti është shkruar enkas për Drita Pelinkun që në vitin 2003, por edhe pse ishte paraqitur në bordet e Teatrit Kombëtar që prej asaj kohe, nuk ishte miratuar. Pas gati 8 vitesh, vepra ngjitet në skenë si një dhuratë që iu premtua aktores së njohur nga ministri Bumçi në festën e 85-vjetorit të lindjes. Si regjisori Luarasi dhe Pelinku janë në një mendje teksa flasin për aktualitetin e veprës. Drama rrok një nga problemet e thekshme të shoqërisë shqiptare, atë moshës së tretë, që për shkak të emigracionit kanë mbetur të vetëm. Vazhdimisht dëgjojmë raste kur një i moshuar i vetëm ka vdekur në shtëpinë e vet dhe e kanë gjetur të afërmit, disa ditë më vonë. Është shteti që duhet ta zgjidhë dhe të gjejë formë. U takon atyre të vendosin se si. Në disa shtete të Europës kam parë se si janë ngritur shtëpi ku të moshuarit bashkëjetojnë, ku marrin të gjitha shërbimet. Do të doja që kjo pjesë të ishte një refleksion realist i jetës, sepse të tilla janë ato drama që kam shkruar si Gomonia apo Korbi i Bardhë. Unë nuk jam dramaturg, jam regjisor që përpiqem të trajtoj ato probleme që shoh në jetën e përditshme. Kam pritur që ti shkruajnë të tjerët, por duke qenë se nuk e kanë bërë, jam ulur vetë. Unë nuk shkruaj drama që të mbeten në përjetësi, por tu bëjnë jehonë problemeve të sotme, tregon regjisori Mihal Luarasi. Ai ngutet të sqarojë se kjo pjesë nuk ka aspak nota biografike. Përkrah Drita Pelinkut, në rolin e Dionit është Vangjel Toçe. Ata janë një çift të moshuarish mbi të shtatëdhjetat, të mbetur vetëm. Lajtmotivi i bisedave të tyre janë fëmijët, largësia e tyre, fakti që bëhen të huaj, por ajo që ata nuk guxojnë ti thonë njëri-tjetrit është frika se mos tjetri vdes i pari. Ngjarja vendoset në 24 orë, në një larmishmëri situatash. Edhe më parë Luarasi ka treguar se Drita Pelinku ka punuar me orë të gjata në prova, ndërsa ajo vetë ka pohuar se do të jetë e lumtur ta mbyllë përfundimisht karrierën në teatër me këtë pjesë që i kishte mbetur peng. Fakti që edhe më parë Pelinku kishte deklaruar se do ta mbyllte karrierën në teatër, ka qenë një ngurrim për ta pranuar këtë pjesë, por Luarasi e ka bindur të ngjitet sërish në skenë. Duke treguar se kur e ka marrë tekstin në dorë, ka ndjekur me net të tëra pa gjumë për të gjetur përkimet mes personazhit të dramës dhe jetës së saj personale. Unë këtë rol e ndiej pranë vetes, rrethit familjar, njerëzve që më rrethojnë. Ndoshta unë nuk i kam pasur larg fëmijët e mi, por nipër e mbesa më kanë munguar në gëzime apo fatkeqësi, që janë të natyrshme në jetën time të gjatë, ka thënë Pelinku.
Vetëm, vetëm plako! Të gjithë ikën, morën arratinë, nipërit, fëmijët, mbesat, nga sytë këmbët, sikur të ishte i mallkuar ky vend i bukur! Teksa kujton këtë monolog të veprës, Pelinku ndalon një hop të mendohet. A i trembet ajo vetmisë? Në jetën time personale nuk e ndiej këtë vetmi. Megjithëse im shoq nuk jeton më, kam vajzën, nipçe, mbesa, por këtë e kam ndier më shumë te njerëzit që më rrethojnë, ndoshta edhe të fisit tim.
Sa herë që e marr tekstin në dorë për ta lexuar, pa dashur më dalin këto tablo të jetës njerëzore, të këtyre njerëzve që kanë mbetur vetëm. Kam një njeriun tim të afërt që i kanë ikur fëmijët në emigracion. Ai merr letra prej tyre, ndonjëherë vijnë edhe ta shikojnë, por jeta e tij është vetëm fare. Thotë gjithmonë që mezi pret të tringëllijë zilja e telefonit që ta marrë dikush e të bëjë muhabet se nuk ka një njeri që e shoqëron, tregon aktorja, teksa duket se përlotet paksa pas syzeve të errëta. Edhe pse më i ri në moshë se personazhi që interpreton, aktori Vangjel Toçe shpjegon se ai e njeh këtë problem, ka takuar njerëz të vetmuar, ka folur me ta dhe beson se ka hyrë në lëkurën e personazhit që do sjellë. Skenografia e veprës është realizuar nga Genc Shkodrani, i cili shprehet se nuk ka synuar drejt një skenografie spektakolare, por në një mobilim deri diku naiv, me objekte të mbetura nga një kohë e shkuar, për të theksuar paksa edhe këtë harresë të personazheve. Shfaqja do të jepet në Teatrin Kombëtar të premten, të shtunën dhe të dielën, ora 20:00.