E Diel, 1 Nëntor 2026

Luiza Xhuvani: Elektra, garanci suksesi është Sofokliu

Teatri Kombëtar me vepra të mëdha të dramaturgjisë botërore. Në skenën ngjitet një prej kryeveprave të antikitetit

Teatri Kombëtar në vijim të sezonit të tij artistik i rikthehet veprave të mëdha, që i takojnë dramaturgjisë botërore. Pas dy vjetësh, Teatri Kombëtar vë në skenë një tjetër vepër të antikitetit grek. Tragjedia Elektra do të vijë për publikun shqiptar nga një kast i zgjedhur aktorësh. Në rolin kryesor do të jetë aktorja Luiza Xhuvani, e cila thotë se angazhimi

në politikë nuk e pengon në profesionin e saj. Roza Anagnosti, Bujar Asqeriu, Vasjan Lami, Ahmet Pasham, Elida Janushi, Violeta Trebicka, Monika Lubonja, Ermela Teli, Klea Konomi etj, do të jenë disa nga aktorët e roleve të tjera të kryeveprës së Sofokliut në skenën shqiptare. Tragjedia Elektra vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një pikë referimi, që tërheq vëmendjen dhe grishjen artistike të mjaft krijueseve, kërkuesve, artistëve dhe regjisorëve. Për vetë regjisorin Andonis Filipi përgatitja e kësaj shfaqjeje ka qenë një përgjegjësi e madhe, e cila do të vlerësohet nga publiku. Kjo tragjedi do të do të ngjitë në skenë shumë artistë të rinj dhe të vjetër, por ajo që bie në sy është rikthimi në Teatrin Kombëtar pas 14 vjetësh i artistes së mirënjohur Roza Anagnosti në rolin e nënës së Elektrës. Nuk mund të mos bjerë në sy edhe aktrimi në rolin kryesor i Luiza Xhuvanit, e cila në një prononcim të saj tregon se edhe pse ajo ka angazhime në politikë ajo kurrë nuk është shkëputur nga teatri. Nuk kam ikur dhe nuk do të rikthehem, unë jam këtu. Unë përshëndes Teatrin Kombëtar që ka marrë vepra të tilla. Garanci suksesi është Sofokliu. Është një provë e madhe dhe ne jemi përpjekur shumë, madje kemi punuar dhe me një teatrologe për këtë pjesë, pohon aktorja e njohur Luzia Xhuvani. Ndërkaq e pyetur mbi rolin e Elektrës ajo vijon të tregojë se vetë roli tregon për një fenomen që nuk duhet të përsëritet më. Tek Elektra është një eksperiencë e jashtëzakonshme, me aktorët por dhe kostumografia. Elektra është fenomen, nëse vihet sot Elektra do të thotë të mos përsëritet më si fenomen, pohon aktorja e cilësuar si ndër më të mirat në skenë dhe filmin shqiptar. Ndërsa regjisori i veprës Adonis Filipi pohon se: Elektra thërret për vlera morale. Është simboli i sfidës njerëzore. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami e cilëson këtë vepër shumë të rëndësishme të antikitetit, e cila erdhi dy vite pas suksesit që patën Trojanet. Pas një periudhe dy vjeçare nga antikiteti vjen Elektra e Sofokliut, duke synuar në këtë mënyrë që në skenën e TK të vijë një dramaturgji e mirëfilltë botërore. Kjo vepër është një bashkëpunim ndërkombëtar. Mendoj se është bërë një punë e mirë, por çdo gjë në dorë ia lëmë spektatorit, theksoi ndër të tjera Skrami. "Elektra", shkruar nga legjendari grek, tragjediani Sofokli është konsideruar gjerësisht si një nga tragjeditë më të mëdha greke si një nga perlat e të gjitha kohërave. Tragjedia Elektra është një pjesë që ka njohur sukses jo vetëm në skenën shqiptare, por edhe në atë të huaj. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në festivale të rëndësishme si brenda dhe jashtë vendit dhe është përcjellë me duartrokitjet e publikut. Do të jetë pikërisht regjisor i njohur Adonins Filipi, i cili premton të sjellë në skenën  suksesin e radhës. Vepra vjen me përkthim nga Laert Vasili, i cili interpreton dhe rolin e Orestit në skenën teatrore, skenografia është realizim nga Fatbardh Marku, kostumografia Bllagoj Micevski, ndërsa koreografia Mariela Nestora. Vepra që do të ngjitet sonte në skenë, do të vijojë dhe në ditët e tjera të javës.

Çfarë ndodh tek Elektra
Subjekti i tragjedisë Elektra është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Ngjarjet e tragjedisë shtjellohen në situata të ngjashme të "Koeforeve" të Esikilit: Në të dyja veprat Oresti rritet e bëhet burrë në dhe të huaj. Ai është vazhdimisht i shoqëruar nga miku i tij besnik, Piladi. Tek të dy tragjeditë Oresti vë në provë të motrën duke iu shfaqur në fillim si i huaj, pastaj ndodh çasti i rinjohjes. Por secili nga këta dy poetë të mëdhenj ka vënë në vepër vulën e personalitetit të tij si artist. Ndërsa te Eskili rolin kryesor e ka Oresti, Sofokliu vë motrën e tij, Elektrën, në qendër të vëmendjes. Oresti nuk është veç krahu, shpirti është e motra. Të dy janë të vendosur dhe skanë asnjë luhatje në çastin kur ngre dorën dhe vrasin nënën e tyre, Klitemnestrën. Elektra është shumë e afërt me Antigonën për nga forca e vullnetit, nga vendosmëria për të kryer atë detyre që ajo e quan të shenjtë.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›