Greqia parashikon tkurrje të ekonomisë
Ekonomia greke do të bjerë më shumë nga sa mendohet gjatë këtij viti. Kjo është një nga deklaratat e fundit të bëra dje nga qeveria greke, e cila po përgatitet për t’u përballur me një valë të re grevash dhe protestash të sindikatave të sektorit publik dhe privat. Këto greva janë të gjitha për të kundërshtuar masat e marra së fundmi nga qeveria për uljen e deficitit buxhetor. Greqia, e cila ka një deficit prej 300 miliardë eurosh, i deklaroi Bashkimit Europian se gjatë vitit 2010 Prodhimi Kombëtar Bruto ka shumë të ngjarë të tkurret me më shumë se 0.3% që ishte edhe parashikimi i bërë në fillim të vitit. Madje ka edhe skenarë pesimistë, të cilët bëjnë fjalë për një rënie deri në masën 0.8%. Ekonomistë të ndryshëm dhe analistë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se rreziku më i madh me të cilin do të përballet Greqia është pikërisht ngadalësimi i ritmeve ekonomike dhe rënia e tyre dhe kjo mund të jetë një nga pasojat e masave anti-krizë. Ministria e Financave bëri të ditur se nuk mund të përcaktonte me saktësi se sa do të ishte Prodhimi Kombëtar Bruto dhe se një parashikim i saktë do të ishte i gatshëm për t’u bërë publik vetëm në muajin prill. Ndërkaq, sipas zyrtarëve të lartë grekë, nga masat e para që janë marrë për reduktimin e buxhetit do të përftohen 4.8 milionë euro. Si pasojë e masave të marra pritet një rënie e ndjeshme edhe e konsumit, madje në masën 5%, që vjen kryesisht si pasojë e reduktimit të të ardhurave të punonjësve të sektorit publik. Megjithatë, paqartësitë në lidhje me reduktimin e Prodhimit Kombëtar Bruto janë të mëdha. Një tjetër çështje kyçe sipas ekonomistëve është edhe vullneti i qeverisë dhe mbështetja për të cilën ajo ka nevojë, në mënyrë që t’u përmbahet detyrimeve që i ka vënë vetes dhe BE-së në lidhje me buxhetin. Sindikatat e sektorit publik dhe atij privat, të cilat së bashku përfaqësojnë një forcë pune prej 5 milionë personazhesh, kanë bërë thirrje për një grevë tjetër të përgjithshme për ditën e sotme, duke shpërndarë në të gjitha vendet dhe sidomos në vendet e punës, fletëpalosjet e iniciativës së re.
Në Athinë, sipas burimeve të policisë, pritet që të ketë përleshje mes protestuesve dhe policisë, siç pati dhe herën e fundit, kur forcat e policisë u detyruan që të ndërhynin me gaz lotsjellës për të qetësuar situatën. Kështu, për të parandaluar ndonjë shpërthim dhune është angazhuar një forcë policore prej 1500 vetash, që do të përqendrohet kryesisht në qendër të Athinës dhe në pika të tjera strategjike.
Ndërkohë, sondazhet e fundit me opinionin publik tregojnë që pjesa më e madhe e grekëve i mbështet masat e qeverisë socialiste, e cila erdhi në fuqi në vend pas zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit të kaluar, por ndërkaq ky opinion është i ndarë për sa u përket disa masave të veçanta, si rritja e taksës së vlerës së shtuar, reduktimi i bonuseve për punonjësit e sektorit publik dhe ngrirja e pensioneve. Ndërkaq, Brukseli dje ka bërë të ditur se është ende duke diskutuar në lidhje me masat që duhen marrë për ta ndihmuar Greqinë në këtë situatë.
#