E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita ankohet në pritjen e Lepencit

Ndeshja mes Lepencit dhe Dritës (1:1) nuk ka pasur rrjedhë dhe përfundim të mirë. Pas takimit, gjilanasit i kanë kritikuar kaçanikasit për pritjen që ua kishin bërë.

“Nuk e dinim se a jemi duke luajtur diku në Serbi apo në Kosovë. Prej minutës së parë e deri në fund lojtarët e Lepencit i kanë grushtuar gjatë gjithë ndeshjes lojtarët tanë, duke u munduar kështu të fitonin me çdo kusht. Kështu, lojtari ynë, Visar Sermaxhaj, pasi u godit nga një lojtar i Lepencit, me auto-ambulancë është dërguar në spital në gjendje kome, kurse referit i doli loja prej kontrolli”, tha për Express pas ndeshjes trajneri i Dritës, Bekim Isufi.

“Pas ndeshjes, autobusi i ekipit tonë, por edhe i tifozëve tanë, është demoluar nga tifozë vendas. Nuk e di deri kur FFK-ja do t’i mbajë sytë mbyllur karshi kësaj. Që 20 vite merrem me futboll, por kurrë nuk e kam përjetuar një kësi situate si kjo në Kaçanik”, vazhdoi Isufi i zhgënjyer.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›