E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gol që s’harrohet

Fatos Beqiraj e ka realizuar ëndrrën e dyfishtë të martën mbrëma. Sulmuesi kosovar luajti 90 minuta në stadiumin Santiago Bernabeu dhe arriti të shënojë gol ndaj Real Madridit. Ai thotë se do ta kujtojë gjithmonë këtë gol, ndërsa e pranon se ndaj Realit, ekipi kroat nuk mund të bënte më shumë.

Për Fatos Beqirajn, e marta ka qenë njëra prej ditëve më të bukura në jetë. Sulmuesi kosovar e realizoi ëndrrën e tij të përjetshme – të luajë ndaj Real Madridit në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’.

Por, sulmuesi pejan pati gëzim të dyfishtë. Përpos që luajti 90 minuta, ai arriti të shënojë ndaj klubit mbretëror spanjoll në minutën e 81-të, në humbjen 6:2 të ekipit të tij Dinamo Zagreb, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

“Nuk mund të buzëqeshësh kur humb kësisoj. Mirëpo, ishte ndjenjë e bukur që shënova gol kundër Realit, në një stadium të tillë, me atmosferë fantastike. Sigurisht se atë gol do ta mbaj në mend gjithmonë, është gol që s’harrohet. Por, jam i mërzitur për shkak të rezultatit të përgjithshëm. Edhe pse, dihet se Reali është klub shumë i madh”, deklaroi sulmuesi kosovar për Express.

Ish futbollisti i Shqiponjës, Besës dhe Buduçnostit e pranon se madrilenët ishin dukshëm më të mirë dhe se fituan me meritë.

“Reali ishte shumë më i mirë, nuk mund të bësh më shumë ndaj një gjiganti evropian. Por, i pësuam shumë lehtë tre golat e parë. Nuk kemi mundur t’u bënim ballë spanjollëve, por kur në vazhdim të ndeshjes e kemi mbajtur pak topin, ka qenë shumë më mirë. Jam i zhgënjyer për rezultatin, , ndoshta e respektuam shumë kundërshtarin”, shtoi Beqiraj.

Fatosi ka folur edhe për ndërhyrjen e Lassana Diarras në dëm të tij. “Nuk ishte penallti, ishte jashtë 16 metërshit, por Diarra ishte lojtari i fundit kur ndërhyri ndaj meje dhe është dashur të ndëshkohej me karton të kuq”, përfundoi përfaqësuesi malazez.

Për Beqirajn, ky ishte goli i parë në një kompeticion të rëndësishëm siç është Liga e Kampionëve. Ai thotë se ndihet në formë të mirë dhe se do të mundohet të shënojë sërish në ndeshjet e ardhshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›