Drita dhe hija e një feste
Disa historianë shqiptarë dhe punëtorë shkencorë në Maqedoni me dëshpërim konstatojnë se shumë ngjarje të rëndësishme historike e kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë së sotme nuk janë të njohura aq sa duhet për opinionin më të gjerë, për shkollat, institucionet kulturore dhe akademitë e shkencave dhe arteve në Shqipëri dhe Kosovë
Euforia festive e flamurit dhe e pavarësisë sapo i dha lamtumirën 28 Nëntorit të sivjetmë gjithandej në trojet e Shqipërisë natyrale, edhe më përtej në diasporë. U mbyll perdja festive me dhjetëra mijëra flamuj kuq e zi, që ndezën atmosferë të këndshme në këtë përjetim historik shekullor. Në anën tjetër, drita mbeti edhe më tej e fortë, prafullimë. Kombi përjetoi edhe një bashkim shpirtëror, si asnjëherë më parë. Ishin 100 vjet pavarësi, një shekull sakrificash dhe suksesesh në ndërtimin e shtetit shqiptar. Shqiptarët denjësisht festuan, përmbushën zemrat me kuq e zinë kombëtare e me krenarinë atdhetare.
Paralelisht me këtë, pranë një feste kaq të madhe jubilare, të artë, gjithëkombëtare, jo në mënyrë aksidentale shënohej edhe një festë tjetër më e vjetër, edhe po kaq e rëndësishme kombëtare, atdhetare, shtet-formuese, që korrespondon me të njëjtën dekadë të nëntorit historik, ajo e formësimit të Alfabetit shqip në Manastir të Maqedonisë së sotme, më 22 nëntor, tash e 104 vjet më parë, e cila mbeti në njëfarë dore “nën hijen” e festës së madhe të themelimit të Shtetit shqiptar. Sado që ishte nën hije, si do të thoshte shkrimtari i madh gjerman, Gëte, “një hije e rëndë fshihet pas një drite të fortë”, vetvetiu tregon se fshihet pas një drite me prarim vezullues.
Nuk është e rastit që Alfabeti shqip u njësua që në vitin e largët 1908, në kryeqendrën kulturore shqiptare dhe në qytetin e konsujve, në Manastir. Alfabeti që është atribut i gjuhës së shkruar, kurse gjuha - e kombit dhe kombi - i shtetësisë, ka qenë pararojë e pavarësisë së shtetit shqiptar. Nuk e justifikon “hijen” e fshehur fakti se alfabeti s’ishte jubilar, që me peshën e duhur të shënohet vetëm në gjeografinë e ndarë të shqiptarëve të Maqedonisë, derisa shkruan e flet shqip gjithë gjeografia shqiptare.
Mund të thotë ndokush, shënuan këtë përvjetor të Alfabetit edhe shqiptarët anë e mbanë rruzullit. Mbase është e mundur, por fitohet përshtypja se këtë ngjarje të madhe historike, kombëtare e gjuhësore nuk e njohin aq sa duhet, nuk e kanë për zemër, nuk mësojnë deri në dimensionin e nevojshëm edhe shqiptarët jashtë Maqedonisë.
Preteksti nuk mund të jetë se kjo ngjarje ka ndodhur në Maqedoni, por jo në Shqipëri apo në Kosovë. Sepse, pa e njohur mirë e mirë historinë e tërë gjeografisë shqiptare, nuk mund të ketë bashkim shpirtëror e kombëtar. Sikundër që ka shumë data dhe ngjarje të rëndësishme historike, që kanë përcaktuar fatin e kombit dhe që kanë ndodhur cep më cep Shqipërisë natyrale, që nuk i dinë sa duhet shqiptarët e Maqedonisë. Kjo nuk i amniston ata me asnjë justifikim, sikundër edhe vëllezërit e tyre brenda kufijve të tyre administrativë.
Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Mehmet Pashë Derralla dhe shumë e shumë personalitete të tjera të shquara të historisë sonë kombëtare që vunë themelet e shtetit shqiptar, nuk njihen njësoj nga të gjithë shqiptarët e katër vilajeteve të dikurshme. Nuk njihen ngjarjet historike, kryengritjet për çlirim e pavarësi, për kulturë e arsimim, njësoj këndej dhe andej kufirit të Shqipërisë londineze. Afrimi dhe bashkimi shpirtëror shqiptar në gjithë hapësirën e vet natyrale duhet të jetë kushtrim për brezat e tashëm dhe të ardhshëm. Ky mbase është një nga kushtet për sendërtimin e synimeve shekullore kombëtare.
Duhet pranuar se Kongresi i Manastirit ishte i një rëndësie të madhe jo vetëm për alfabetin e përbashkët shqip, për zhvillimin e proceseve në fushën e arsimit e të kulturës në veçanti, por edhe për shtyrjen përpara të zhvillimeve dhe synimeve shekullore për liri dhe pavarësi kombëtare. Nëse ky kongres i alfabetit shqip i dha fund hamendjeve dhe larushisë alfabetike të deriatëhershme në shkrim-leximin shqip, po ashtu sendërtoi përpjekjet e vazhdueshme të krerëve dhe atdhetarëve shqiptarë për forcimin dhe bashkimin midis shqiptarëve në nivel kombëtar, duke mundësuar për herë të parë plotësisht kushtet për hapjen e shkollave të para me mësim dhe shkrim shqip me këtë alfabet.
Ky ishte një akt madhor, me të cilin shqiptarët dëshmuan se janë ngritur në nivelin e pjekurisë kombëtare, se kanë një histori të përbashkët, kanë një gjuhë dhe një alfabet të njësuar. Vetëm kësisoj shqiptarët kanë mund t’u bëjnë ballë ndikimeve asimiluese të fqinjëve të vet gjatë këtij shekulli historik.
Qendrat e shqiptarisë, në trekëndëshin Shkup-Prishtinë-Tiranë, kanë filluar vonë së bashkëpunuari, ndonëse patën përpara 100 vjet me Shqipëri, por edhe pa Shqipëri për shqiptarët jashtë Shqipërisë administrative, si dhe 100 vjet vuajtje për këtë komb, sidomos për pjesët e amputuar të trungut shqiptar.
Së këndejmi, disa historianë shqiptarë dhe punëtorë shkencorë në Maqedoni me dëshpërim konstatojnë se shumë ngjarje të rëndësishme historike e kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë së sotme nuk janë të njohura aq sa duhet për opinionin më të gjerë, si dhe për shkollat, institucionet kulturore dhe akademitë e shkencave dhe arteve në Shqipëri dhe Kosovë. Është kjo një çështje që duhet të diskutohet shtruar nga faktorë relevantë dhe të flaket kjo diskrepancë që na ka ndarë tetë dekada brenda një shekulli. Sepse, është kjo kohë e ngritjes sonë historike dhe kombëtare, një determinues i pasurimit dhe forcimit të identitetit gjuhësor e kombëtar.
Një neglizhencë moskujdesjeje për këtë institucion të lartë kombëtar, siç është Kongresi i Manastirit, nga drejtues zyrtarë të Shqipërisë dhe Kosovës, në instancë të fundit është mjaft shqetësuese. Andaj është për të përshëndetur paralajmërimi i Kryeministrit aktual shqiptar, i cili, në prononcimin e tij të fundit për Shtëpinë-muze të Kongresit të Manastirit, në të cilën u përcaktua Alfabeti i gjuhës shqipe, u zotua që do të kërkojë nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, që nëpërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës të dërgohen ekspertë dhe të merren kontaktet me Ministrinë e Kulturës dhe autoritetet e Maqedonisë, që ky muze të riparohet menjëherë. Kjo do të jetë një ndihmesë e madhe, së pari për shqiptarët në Maqedoni, të cilët nëpërmjet përfaqësuesve të vet në pushtet kanë bërë disa lëvizje investimi në këtë Shtëpi-muze, por që nuk mjaftojnë dhe degradojnë peshën historike dhe kombëtare të saj. Me këtë i bëhet një shërbim Maqedonisë, por kjo nderon edhe shtetin shqiptar dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilët shkruajnë dhe lexojnë me këtë alfabet.