Drita ftohet në Francë

Në Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK), ka arritur një ftesë nga Federata e Volejbollit e Francës, dedikuar Dritës së Gjilanit, për pjesëmarrje në një turne në konkurrencën e femrave. Turniri mbahet në shtetin transalpin prej 23 deri më 29 janar.
Përpos Dritës, në këtë turne pritet të marrin pjesë edhe disa klube të tjera nga shtete të ndryshme ndërkombëtare, ka bërë të ditur kryetari i FVK-së, Musa Selimi.
“Drita ka marrë ftesë nga Federata e Volejbollit e Francës për pjesëmarrje në një turne që mbahet atje, në të cilin pritet të marrin pjesë edhe skuadra tjera nga vendet e ndryshme”, deklaroi Selimi, për Express.
“Ekipi i Dritës do të përforcohet, edhe me disa volejbolliste më cilësore, nga klubet e tjera kosovare, sepse duam ta prezantojmë në mënyrë sa më të mirë volejbollin kosovar. Bashkë me Dritën jam ftuar edhe unë si mysafir nga FVK-ja”, tha Selimi, i cili theksoi se do të mundohet që të lobojë atje për inkuadrim të FVK-së në Federatën Evropiane dhe atë Botërore të Volejbollit.