E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllaznimi në terr

Vëllaznimi vazhdon të përballet me vështirësi. Kryesia e klubit nuk i ka paguar ende futbollistët për djersën që kanë derdhur në sezonin vjeshtor. Futbollistët kanë marrë vetëm një rrogë, ndërsa klubi është “brenda” me lojtarët edhe tri rroga të tjera.

Zyrtarët kanë premtuar shpesh se do t’i kryejnë obligimet ndaj lojtarëve, por kjo nuk ka ndodhur ende. Premtimet e tyre janë bërë “in”, por durimit të futbollistëve duket se i ka ardhur fundi.

Në tubimin e mbajtur të martën me futbollistë, ishin të pranishëm vetëm gjysma e tyre, gjë e cila konfirmon zhgënjimin e futbollistëve. Rrogat e futbollistëve nuk janë preokupimi i vetëm i zyrtarëve të klubit. Probleme ka edhe brenda stadiumit të qytetit të Gjakovë.

“Ne futbollistët u mblodhëm të martën me zyrtarët e klubit. Mirëpo, në stadium nuk kishte kushte, nuk ka rrymë qe dy muaj (pasi klubi nuk e ka paguar energjinë elektrike), por nuk kishte as ujë, pasi që është ndalur në të gjithë qytetin. Kryesia na premtoi se do t’i rregullojë këto probleme shumë shpejt”, theksoi mbrojtësi Robert Gjeraj, i cili vetëm për të mirën e klubit, ka hequr dorë nga disa oferta që i kanë arritur.

Gjeraj, së bashku me disa futbollistë, kanë vendosur që të mos i përgjigjen ftesës së Kryesisë së klubit, për t’u grumbulluar edhe një herë të mërkurën (sot), pa u kryer obligimet ndaj tyre. “Unë u thashë anëtarëve të Kryesisë se pa na paguar rrogat, nuk do të dalim më. Ne nuk do të presim për shumë kohë, sepse ofertat për ne nuk mungojnë”, vazhdoi futbollisti i palodhshëm.

Burime brenda Expressit njoftojnë se edhe vetë trajneri Ajet Shosholli, që aktualisht gjendet në Finlandë (deri të enjten), u ka bërë me dije zyrtarëve të klubit se nuk do t’i nisë stërvitjet pa u kryer obligimet ndaj futbollistëve.

Edhe disa futbollistë, të cilët nuk deshën t’u përmendej emri, kanë paralajmëruar se do të presin vetëm deri të hënën tjetër, hiç më shumë.

Kryesia e klubit u ka premtuar lojtarëve se brenda 2-3 ditëve do t’ua paguajë njërën rrogë, ndërsa pas 10 ditësh pjesën tjetër të borxhit. Por, sa është kjo për t’u besuar?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›