E Diel, 1 Nëntor 2026

Togolezët, dëshirojnë të rikthehen

Togo e ka lënë Kupën e Afrikës, pas sulmit më armë që pësoi kjo skuadër, në udhëtimin e saj drejt Algjerisë, ku po mbahet ky kompeticion. Disa ditë pas tragjedisë, që i la të vdekur tre persona, disa futbollistë e kanë ndërruar idenë dhe dëshirojnë të marrin pjesë në Kupën e Afrikës.

Ndër ta është edhe ylli i Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor. Sulmuesi është rikthyer në atdhe, ku janë shpallur tri ditë zie kombëtare, së bashku me shokët e skuadrës.

Ndeshja e paraparë kundër Ganës është anuluar nga Konfederata afrikane, në marrëveshje me Komitetin organizator, të cilat vendosën ta diskualifikonin Togon.

Adebayor, në harmoni me ministrin e Sportit të vendit të tij, shpreson se megjithatë do të jetë e mundur që të ndryshohet ky vendim.

“Kemi vendosur të rikthehemi në shtëpi për tri ditë zie kombëtare. Pas periudhës së zezë, nëse Konfederata e pranon rikthimin tonë, do të luajmë. Kemi humbur njerëz. Jemi rikthyer te familjet tona, e më pas të shohim se çka do të ngjajë”, tha sulmuesi i Cityt.

Njëjtë mendon edhe ministri togolez i Sportit, Christophe Tchao. “Futbollistët janë rikthyer në shtëpi, së bashku me trupat e vëllezërve të tyre të vrarë. Kemi kërkuar nga CAF që ta gjejë një marrëveshje dhe ne ta vazhdojmë pjesëmarrjen”, tha ai.

Kërkesa e tyre pritet të marrë përgjigje shumë shpejt. CAN, në fakt nuk e ka pritur mirë faktin se Federata e Togos nuk e ka njoftuar askënd për vendimin e saj për t’u rikthyer në shtëpi, duke i lënë organizatorët në hamendje se si ta mbulojnë hapësirën e lënë nga ta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›