Drita njëzet e katër orë dhe premtimi për faliment
Kryeministri u duk shumë i lumtur dje. Për herë të parë pas shumë muajsh, është në gjendje të premtojë drita njëzet e katër orë, me përjashtim të rasteve të mbingarkesës. Duket se analiza e situatës energjetike, ia jep atij të drejtën të shpresojë se shqiptarët do të furnizohen më rregullisht me drita këtë vit, vetëm se edhe kësaj here, dardha e ka bishtin prapa. Dhe në rastin konkret, bishti i dardhës, është më i madh se vetë dardha, kështu që mund të shihet më qartë nga të gjithë. Që të furnizojë vendin me drita, KESH-it i nevojitet maksimumi i prodhimit vendës plus maksimumi i importeve. Prodhimi vendës është një shpresë e varur te Zoti ose te natyra, sipas besimit të gjithkujt, ndërsa importi, është i varur te paratë. Prodhimi vendës i jep KESH-it rreth 200 milionë euro në vit, është vit i mbarë, ndërsa për 2008, (ky është bishti i dardhës) nevojiten rreth 230 milionë euro për të përballuar faturën e importit. Ky bishti më i madh sesa vetë dardha, është sa 2.5% e Prodhimit Kombëtar, sa 9% e Buxhetit të Shtetit dhe sa gjysma e buxhetit të investimeve publike. Për këtë arsye, një nga zyrtarët e Ministrisë së Financave, pranoi me gjysmë zëri ca javë më parë se, "fatura e dritave të importit mund të zhysë buxhetin e shtetit në kolaps këtë vit". Qeveria duket shumë e vendosur të bëjë çdo gjë, për të mos krijuar pakënaqësi mes popullatës në këtë vit parazgjedhor. Dhe kjo gatishmëri, për fat të keq, më risjell vërdallë fantazmën e vitit 1996, kur për shkak të dëshirës për të fituar zgjedhjet, u lejuan të mbijetonin skemat piramidale deri në kolapsin më tragjik të tyre.
Shpresë
Skenari aktual i furnizimit me drita pa ndërprerje thotë se vendi do të ketë një vit të mbarë reshjesh, ndoshta, tepër të mbarë. Hidrocentralet tona mund të prodhojnë maksimalisht 17 milionë kilovat/orë, në periudhën më të mirë të vitit, që zgjat disa ditë aty nga pranvera. Pjesa tjetër do të importohet. Me ardhjen e pranverës dhe verës dhe me uljen e prodhimit vendës, do të ulet edhe konsumi si pasojë e ngrohjes së motit. Për pasojë, qeveria mund ta plotësojë ëndrrën e vet të furnizimit me drita njëzet e katër orë. Por pyetjes se çfarë do të ndodhë nëse shirat e shtatorit të ardhshëm vonohen, qeveria duket se ka ndër mend t'i japë të njëjtën përgjigje që i dha asaj të vitit 1996, në lidhje me kolapsin e pritshëm të skemave piramidale. Përgjigjja është "le të ndodhë çfarë të dojë"! E ardhmja nuk është për qeverinë një shqetësim aq i madh sa janë zgjedhjet. Pyetja tjetër, se çfarë do të ndodhë kur këtë vit i gjithë fondi i investimeve publike të shkojë gjysma në rrugën Durrës - Kukës dhe gjysma tjetër për import dritash, sërish ka të njëjtën përgjigje. Është e kotë të përmendim pasojat në ekonominë kombëtare, në stabilitetin financiar etj. Është e kotë gjithashtu të rikujtojmë edhe një deklaratë të Entit Rregullator të Energjisë, i cili synoi të shpallte se në fund të fundit, duhet të ketë një logjikë ekonomike në vendimin për të importuar energji me çdo lloj çmimi dhe se kostoja aktuale e importimit të dritave, është shumë më e lartë nga përfitimi i ekonomisë nga furnizimi i rregullt me energji.
Nuk është aspak e sigurt, të thuhet se kush do t'i fitojë zgjedhjet e vitit 2009 në Shqipëri, por, është e sigurt se qeveria aktuale mund të fitojë zgjedhjet si në vitin '96, duke e futur më pas vendin në krizë.