E Diel, 1 Nëntor 2026

VIJA NDARËSE E POLITIKANIT: Politikanë "për vete", apo "në vetvete"?

Nëse do të analizojmë pak më "teorikisht" tipologjitë e politikanëve aktivë, nuk është e vështirë të identifikosh, të diferencosh dhe klasifikosh disa prej tyre, që kanë profilin e "politikanit për vete" apo të politikanit "në vetvete". Me siguri që do të jem në një mendje me lexuesin tim, se në politikën e tanishme, vlera e klasës politik shqiptare ka tendencë të dukshme të rënies së besimit dhe kredibilitetit publik. Ajo është, së pari, vetë që po vuan "krizën e identitetit", pikërisht për shkak se politikanë jo të paktë, nuk janë në gjendje të kuptojnë se personaliteti i tyre nuk varet nga fjalët pa përmbajtje, si slogan për të mbuluar thelbin e jetës personale të deformuar, apo të qëndrimit moral me "dy faqe", por nga qëndrimi që ai mban në "kufirin ndarës" që politika është vlerë "në vetvete", mjet për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, apo "për vete", si mjet për të plotësuar dëshirat personale. Kategoria që ndeshet më rrallë në grupin social të klasës politike, është ajo e "politikanëve në vetvete", domethënë e politikanëve të formuar, që kanë krijuar individualitet, personalitet politik të spikatur, që kanë vlera morale të pakontestuara ngaqë i kanë shërbyer më shumë "politikës në vetvete" sesa "politikës për vete", ngaqë dhe i kanë dhënë vlera dhe produkte pozitive politikës profesioniste dhe jo interesave ngushtësisht personale. Dhe opinioni publik, di mirë të bëjë këtë ndarje tipologjike të politikanëve, si të duan ata, me arsye dhe fakte apo me intuitë. Politikanët ndahen në këto dy kategori, jo vetëm nga raporti që ata kanë me "makutërinë personale". Vija ndarëse e politikanit "për vete" nga ai "në vetvete", duket edhe në se këtë problem e shikojmë në planin psikologjik.
Njerëzit e thjeshtë, normalë që e vlerësojnë politikën dhe politikanët për misionin e tyre me ndjenjë realizmi i urrejnë politikanët narcizistë që janë dashuruar pas vetes, që ia bëjnë me sy, që kanë fjalë shumë dhe punë pak, që e vlerësojnë politikën jo si mision social, por si mjet ekzibicioni formal. Kjo duket në ndjenjën e vetëkënaqësisë, që kanë disa politikanë të vjetër të karrierës, që mendojnë se kanë arritur "perfeksionizmin" e artit të të bërit politikë, që kanë mendim të pakufishëm për vlerat e vetes, për oratorinë e spikatur dhe mendimin preciz dhe elokuent. Narcisizmi i politikës shqiptare është i shkallëzuar, në përputhje me vlerat e politikanëve. Disa që kanë aftësi e shfaqin narcisizmin e tyre në sallën e parlamentit, apo përballë medias nga që kanë besim në elokuencën e tyre. Të tjerët, politikanë me staturë të ulët ekzibicionin narcizist e bëjnë në provincat e tyre, duke u tundur nëpër bulevardet, lokalet dhe mediat e pakontrolluara të provincës. Por ka dhe një kategori politikanësh, që kohët e fundit janë shtuar nga e majta dhe e djathta e politikës, që nuk janë as "për vete" as "në vetvete", ngaqë nuk kanë personalitet profesional. Në përgjithësi ata njihen nga qytetarët si politikanë që nuk kanë identitet politik. Personalitetin e tyre e kanë në suspension, në vartësi simbiotike me liderët dhe idhujt e tyre. Megjithëse përpiqen të bëjnë pirueta, për të dëshmuar me sforco se janë "të pavarur", nuk është e vështirë të kuptohet se vartësia e tyre me liderët është simbiotike. Këta politikanë nuk kanë fuqi që të shfaqen si "politikanë në vetvete". Kujtoni komedinë e "Lëvizjes për politikë institucionale", për të kuptuar dhe vlerësuar dukurinë e vartësisë, suzerenitetit politik të disa politikanëve të së majtës, që nuk kanë qenë asnjëherë "politikanë në vetvete"...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›