E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pragu" i NATO-s

Është krejt e qartë se në këtë fillimviti punët janë shtrënguar fort. Punët e Shqipërisë, e kemi fjalën; për shembull, marrja e ftesës për Samitin e NATO-s, temë që këto ditë ka diktuar disa rreshtime interesante në politikën shqiptare. Kështu, kemi një prononcim "me zë të lartë" të kreut socialist, Edi Rama, për gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar në kryerjen e reformave. Kemi edhe një përgjigje të menjëhershme të Kryetares së Kuvendit dhe njëherësh n/kryetare e PD-së, Jozefina Topalli, për t'ia blatuar seancat e para të këtij viti reformave kryesore, midis të cilave rregullimeve të infrastrukturës zgjedhore. Ka pasur menjëherë një takim të drejtuesve të dy partive kryesore, PD e PS; sakaq është mbledhur edhe Konferenca e Kryetarëve. Ka pra një impenjim për të shfrytëzuar kohën e mbetur deri në Samitin e Bukureshtit, për të dhënë sinjale pozitive sa i takon bashkëpunimit politik dhe kompromiseve (përgjithësisht të munguara në tryezat e politikës shqiptare). Sigurisht, edhe këtë herë fusha e lojës është e gjerë, argumentet do të vijnë e do të ikin. Në se lëvizja është një këmbëngulje e përkohshme, një dalje nga gjendja e "luftës" për shkak të Samitit të Bukureshtit - ka shumë gjasa të jetë kështu - tymi ka për t'u dukur shumë shpejt. Por mund të gjykohet në një mënyrë edhe më pragmatiste: Një pjesë e reformave do të duhej të "hiqeshin qafe" pjesë-pjesë. Kështu, e vërteta është që në se ka një reformë, e cila nuk do të duhej të kushtonte kaq shumë mund, kjo quhet Reforma Zgjedhore. Nuk mbahet mend qëkur është shtruar për zgjidhje kjo e uruar çështje. Po edhe pse koha ishte e pamëshirshme, (kjo ndjehet më mirë se kurrë pikërisht sot), askush nuk u përpoq t'ia kursente politikës kalvarin e Reformës Zgjedhore dhe të vetë Komisionit Parlamentar që i ka dalë për zot procesit.
Dështimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore duket se ka ardhur edhe për shkak të mospajtimeve me aleatët "e vegjël". Përpara disa muajsh, përfaqësuesit e këtyre formacioneve politike modeste, u mblodhën për të ndërtuar njëlloj solidaritetit mes tyre, paçka se për nga mandatet iu përkasin disa opozitës dhe disa të tjerë pushtetit. Hendeku që i ndan ata nga "dy të mëdhenjtë", për hir të së vërtetës, nganjëherë bëhet i frikshëm. E megjithatë, nuk "arratisen" dot, nuk munden. Aktualisht, partitë e koalicionit qeverisës paraqiten disi më të rreshtuara; opozita mbetet ende e përçarë për sa i takon modelit që duhet praktikuar. LSI është shprehur për një sistem proporcional të pastër; PSD i përmbahet modelit gjerman (që duhet modifikuar, siç thuhet, në përshtatje me kushtet e vendit tonë); Aleanca Demokratike qëndron diku përmidis këtyre modeleve. Për të mos vazhduar me ilustrime, duhet kujtuar që Reforma Zgjedhore është vetëm një prej detyrimeve të shumta të politikës shqiptare në rrugëtimin e vështirë drejt Evropës. Drejtues të rëndësishëm të politikës, kohë më parë, apeluan me forcë bashkëpunimin e palëve për të rënë në një mendje për një draft, të cilit (shpresohej se) nuk do t'i mungonte konsensusi; por gjithsesi ishte fjala për të mos i lënë gjërat "për në fazën e fundit". Kështu është cilësuar atëherë dinamika e procesit nga z. Bamir Topi, tashmë President i vendit. Ndërkaq, publiku i gjerë është informuar se për përfundimin e Reformës Zgjedhore kishte bërë thirrje edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Mark Per de Brishambo (me sa na kujtohet, aty nga mesi i prillit, gjatë vizitës së tij në Shqipëri). Tema është marrë e rimarrë disa herë edhe nga partnerë të tjerë, në raportet e tyre ose në takime formale me politikanët shqiptarë apo autoritetet shqiptare.
Sot, në radhën e reformave, Reforma Zgjedhore paraqitet si një nga precedentët kryesorë. Në njëfarë mënyre, ajo simbolizon stërmundimin e politikës dhe të qytetarisë shqiptare për të dalë nga tranzicioni. Një nga nyjat e këtij stërmundimi, me sa duket, ka qenë dhe është pragu elektoral. Politikanët me të drejtë i kthehen dhe rikthehen kësaj teme. Ndryshimi i pragut elektoral nga 2.5 për qind që është aktualisht, në 3 apo edhe 4 për qind, i shqetëson shumë nga aktorët e pranishëm në politikën shqiptare. Ka parti (të ashtuquajtura "të vogla") që janë të bindura se do ta kapërcejnë patjetër pragun elektoral, cilido qoftë ai. Kështu kanë deklaruar Lëvizja Socialiste për Integrim, PBDNJ dhe Partia Demokristiane. Ndërkohë, kjo e fundit është dyzuar, me krijimin e LDK-së; dhe bashkë me këtë të fundit, të tjera parti duket se paralajmërojnë të vijnë në garën politike. Dhe ato, është krejt e natyrshme, nuk e duan pragun e sforcuar (mbase edhe të parakohshëm) prej 4 për qind. Nuk e duan këtë prag edhe shumë prej partive "të vogla", të krijuara që më 1991 apo 1992; nuk e duan këtë prag shumë prej politikanëve (t'i quajmë) të vlerësuar, përfshi edhe një ndër më të vjetrit, bashkëhartuesi i Kushtetutës, Sabri Godo. Megjithatë, sot, më shumë se sa pragu elektoral, duket se po merr përparësi "pragu" për në NATO. Kështu që pozita e "të vegjëlve" është bërë tepër delikate. Nga njëra anë, ata mbeten përkrahës në parim të reformave dhe shprehen të gatshëm të japin kontributin e tyre për anëtarësimin e vendit në NATO. Por nga ana tjetër, druajnë se kompromiset e "të mëdhenjve" mund të jenë të dëmshme për interesat e tyre partiake dhe individuale. Kryetari i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, ka kërkuar transparencë dhe sinqeritet nga PD dhe PS. Demokristianët gjithashtu kanë apeluar për një kompromis historik... (Disa herë është keqpërdorur ky cilësori "historik"; mbase rasti është që të trajtohet vërtet si i tillë.) Ka edhe optimistë që na kujtojnë se zgjidhja ka qenë këtu mes nesh. Kryetari i PLD, Arian Starova, pas deklaratave të kreut socialist, e shikon edhe më të sigurt marrjen e ftesës për Samitin e Bukureshtit. Optimizmi meriton gjithmonë një notë të mirë.
Gjithsesi, të shtrënguar për të bërë një figurë sa më të mirë për partnerët euro-atlantikë, politikanët shqiptarë janë vënë me të vërtetë përpara një prove delikate. Tepër vonë. Po të kujtosh sidomos se ç'u bë me çështjen Sollaku apo me zgjedhjen e Presidentit. Këtu na vjen në ndihmë edhe Gjergj Fishta, që thotë diku: "Pse shqyptarëve asht tue m'u ba,/ s'u vjen gjuha tjetër gja,/ veç me pshtjellë e me ngatrrue, për shoshojn veç me shprrallue, punët e mbara me i shkatrrue..." ("Nakdomonicipedija"). Vështirë, pra, se ka kohë për të rikuperuar "imazhin". Të çmësuar me kompromise, nevoja e një ftese të rëndësishme dhe e një vëmendjeje gjithaq nga partnerët legjitimë, i ka shkundur mjaft politikanët shqiptarë. Për fat të keq, pragu i tanishëm, ai i hyrjes në NATO, edhe kapërcehet edhe nuk kapërcehet, me manovra si kjo e fundit. "Imazhi" që po kërkojnë tani politikanët shqiptarë, do të duhej të ishte ndërtuar me kohë. Shansi që atyre iu jepet këtë herë, është ai i hartimit të një platforme mbi të cilën do të duhej të ndërtohej bashkëpunimi për një sërë çështjesh të këtij dimri dhe të shumë dimrave të tjerë; ato kanë mbetur në hijet dhe në zgëqet e politikës, si ato dëborërat e ngjeshura qosheve të harruara e të bëra pis nga koha. Gjithsesi, (të shpresojmë) vjen çasti e shkrin çdo shuk dëbore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›