E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Dajti heq plumbin në spital

 

Fatos Mahmutaj

Operohet Dritan Dajti, autori i masakrës së policëve më 7 gusht të këtij viti në plazhin e Durrësit. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga burime të Spitalit të Burgjeve, në institucionin ku ai po kurohet që pas arrestimit më 7 gusht 2009. Sipas këtyre burimeve, 38-vjeçari Dajti është përcjellë nga forcat speciale rreth orës 14:00 nga qelia e tij në Spitalin e Burgjeve për në një sallë operacioni në Spitalin Ushtarak, ku po e priste një ekip kirurgësh i QSUT-së, Spitalit Ushtarak dhe atyre të Burgjeve. Lëvizja e tij është bërë në fshehtësi të plotë, ndërsa të gjitha mjetet policore që shoqëronin autoambulancën e burgut nuk kanë pasur të ndezura fenelinat policore. Për rreth tri orë me radhë Dajti i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në fundin e shpinës, ku si pasojë e përleshjes mori një plumb pistolete. Veprimet e mjekëve zgjatën 1.5 orë, ndërsa pjesa tjetër e kohës është dashur për shërbimin e narkozës. Plumbi kishte ngecur mes dy vertebrave të fundit, duke i sjellë problem përsa i përket lëvizjes së tij. Herë pas here mjeket përbërës të ekipit që e ka ekzaminuar atë kanë pohuar se ky ishte shkaku i paralizës së këmbës së djathtë të tij. Kreu i Spitalit të Burgjeve, Ylber Vata, pohoi dje i kontaktuar nga gazeta "Panorama" se operacioni zgjati tri orë, deri në orën 17:00, kur Dajti sërish në të njëjtën mënyrë, nën masa të rrepta sigurie dhe në qetësi të plotë u transferua në qelinë e tij në Spitalin e Burgjeve, ku do t'i vazhdojë mjekimi i specializuar. Sipas tij, ky plumb i cili ishte vlerësuar nga ekipi mjekësor si i rrezikshëm për shëndetin, madje edhe për jetën e të arrestuarit 38-vjeçar, ka rezultuar të mos ishte i tillë. Sipas drejtorit Vata, ky plumb nuk i sillte vdekjen Dajtit dhe madje ky nuk ishte as shkaku i paralizës. Sipas Vatës, i cili në profesion është kirurg, paraliza e këmbës së djathtë Dritan Dajtit i vinte për shkak të një plumbi që Dajti ka marrë gjatë përleshjes me policët, i cili i ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nervin e këmbës. Tashmë, sipas drejtorit, pas operacionit shëndeti i Dajtit është normalizuar dhe se ai nuk ka paraqitur asnjë shqetësim përsa i përket plagës apo daljes së narkozës. Në fund drejtori pohoi se në ditët në vazhdim do të ketë një informacion më të saktë mbi shëndetin e Dajtit, pasi dje ishte herët për të folur, pasi duhet të ndiqej ecuria e plagës dhe shëndetit të të paraburgosurit. Sipas Vatës, Dajti aktualisht ka një plumb në këmbë, i cili nuk konsiderohet i rrezikshëm për jetën apo shëndetin dhe se do të jetë një fazë e mëvonshme për të kuruar atë, ndoshta do të operohet sërish. Ndërkohë, burime të tjera pohuan se edhe vetë familjarët e Dajtit nuk ishin lajmëruar për këtë operacion. Ata që në fakt janë lejuar vetëm njëherë për ta takuar atë, kanë marrë dijeni vetëm pasi operacioni ka përfunduar dhe se u është thënë se gjithçka ka përfunduar me sukses. Gjatë ditës së sotme pritet që ai të vizitohet prej tyre në qeli, ku dhe do t'i dërgohen veshje, ndërsa ushqimet nga familja atij nuk i janë lejuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›