Dy tentativa vrasjesh, konflikt në lokal dhe sherr me komshiun
TIRANE - Dy të rinj kanë mbetur të plagosur rëndë nga disa goditje thikash dhe po luftojnë me vdekjen në spital, pas sherreve të momentit që kanë shkuar deri në vrasje të mbetura në tentativë. Policisë së Tiranës i janë dashur të paktën 2 ditë për të arrestuar autorët. Sipas burimeve nga policia mësohet së njëra ngjarje ka ndodhur në një lokal në rrugën "Murat Toptani", në kryeqytet. Erjon Valbona (Hysa), 20-vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë nga tre thika në pjesën e barkut, pas një sherri të momentit që ka pasur me 3 klientë të lokalit, ku ai ishte i punësuar si roje sigurie. Policia ka arrestuar si autor të dyshuar të kësaj ngjarje Aleksandër Tomën, i njohur si "Landi", 22 vjeç dhe ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Sipas policisë, dy ditë më parë, rreth orës 00.10, në ambientet e një lokali, Aleksandër Toma, Hoseantonio Çuni dhe Besmir Alia, të tre shokë, kanë qenë duke pirë dhe më pas kanë filluar të thyejnë shishe. Në këtë kohë ka ndërhyrë Erjon Valbona, i cili ishte punonjës sigurie, për t'i nxjerrë jashtë. Aleksandër Toma në konflikt e sipër ka goditur Valbonën 3 herë me thikë në bark dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, bashkë me dy miqtë e tij. Ndërkohë një tjetër ngjarje, me një motive edhe më banal se kaq, ka ndodhur disa orë më vonë në Zall-Herr të Tiranës. Dy fqinjë, kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin, aq sa sherri është ndërprerë vetëm nga goditjet e thikës. Sipas policisë Nuri Alushi, 35 vjeç, ka plagosur fqinjin e tij me të njëjtën moshë dhe të njëjtin mbiemër, Gëzim Alushin. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ndërsa policia ka mundur të arrestojë autorin e ngjarjes. Sipas deklarimeve të tij në polici, por edhe të dëshmitarëve, sebepi i sherrit ka qenë qeni i të plagosurit, Gëzim Alushit, i cili disa ditë më parë kishte kafshuar nënën e autorit, Nuri Alushit. Dy të arrestuarit tashmë ndodhen në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, me akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë". e.d.