Rinis gjyqi për vrasje ndaj Bazelit
TIRANE - Pasi ka "udhëtuar" në të gjitha hallkat e gjyqësorit, deri në Gjykatën Kushtetuese, dosja në ngarkim të Elton Bazellit mbërrin në Gjykatën e Kryeqytetit. Burime zyrtare pranë kësaj gjykate bënë të ditur depozitimin në sekretarinë e kësaj gjykate të dosjes në ngarkim të Elton Bazellit, të akuzuar për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave mbetur në tentative", "mbajtje pa leje të armëve luftarake" dhe "falsifikim të akteve të gjendjes civile". Shorti elektronik i gjykatës së kryeqytetit ka përcaktuar gjyqtarin Petrit Çomo, si shqyrtuesin e kësaj dosjeje, ndërsa në ditët në vazhdim do të caktohet seanca e parë gjyqësore. I akuzuar për tentativën e vrasjes në prill të vitit 2004 të biznesmenit Elton Çarçiu, ai u dënua në prill të vitit 2005, me 15 vjet heqje lirie. Të njëjtën masë dënimi dha për të edhe Apeli i Krimeve të Rënda, ndërsa Gjykata e Lartë në prill të vitit 2006 nuk pranoi rekursin e kërkuar prej tij. I gjendur në të tilla pozita, Bazelli u ankua në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se "i ishte shkelur e drejta për një proces të rregullt ligjor". Në vendimin e saj në prill të vitit 2009, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetuese vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të Apelit për krimet e Rënda, të Gjykatës së Lartë dhe vendosi dërgimin e çështjes për kompetencë në Gjykatën e Tiranës. ar.ba