Dritan Dajti humb betejën e parë me drejtësinë
TIRANE- Nisi sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda një prej proceseve më të bujshme gjyqësore, masakra e rëndë e 7 gushtit të këtij viti në Durrës ku mbetën të vrarë 4 oficerë policie. Në seancën e sotme mungonte i akuzuari kryesor Dritan Dajti ndërkohë që të pranishëm ishin kunati i tij Erges Xhoxhi, i akuzuar për bashkëpunim në krim me të akuzuarin kryesor si dhe ish punonjësi i policisë Mariglen Mucaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Në seancën e parë ishin të pranishëm familjarë të Dritan Dajtit, përfshi dhe bashkëshorten e tij Dorela Dajti. Kështu në seancën e parë që zgjati vetëm pak minuta, autori kryesor i masakrës Dritan Dajti humbi betejën e parë me drejtësinë. Gjykata rrëzoi dy kërkesat e para të avokatit të tij mbrojtës Arben Qeleshi i cili kërkoi ripërsëritjen e fletëthirrjes për Dajtin sipas tij i hartuar në mënyrë jokorrekte. Por gjykata vlerësoi se fletëthirrje ishte konform rregullave dhe vetë Dajti kishte refuzuar ta firmoste atë duke bojkotuar dhe pjesëmarrjen në seancën e sotme gjyqësore. Gjykata rrezoi dhe kërkesën tjetër për verifikim të gjendjes shëndetësore të Dajtit. Sipas gjykatës, Dajti ka qenë i vetëdijshëm dhe në gjendje koshiente pasi është vënë në dijeni për fletëthirrjen dhe me ndërgjegje nuk e ka firmosur atë. Trupi gjykues i bëri të ditur gjithashtu avokatit Arben Qeleshi se nuk legjitimohet për të përfaqësuar Dajtin në seancë, pasi në prokurën e familjarëve ishte bërë një gabim kur ishte shkruar se Qeleshi përfaqësonte Dajtin në procesin në Gjykatën e shkallës së parë në një kohë kur cështja po gjykohet nga Krimet e Rënda. Dritan Dajti është autori kryesor i masakrës së rëndë të 7 gushtit, kur në tentativë për të kapur të shumëkërkuarin mbetën të vrarë katër oficerë policie. Mbi Dajtin rëndojnë një serë akuzash të rënda dhe ai rrezikon dënim me burgim të përjetshëm. (e.n/News24/BalkanWeb)