E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode kërkon angazhim për plotësimin e pyetësorit të BE

TIRANE- Deri në fund të muajit, Ministria e Financave duhet të ketë plotësuar pyetësorin e Komisionit Europian në kuadër të integrimit të vendit në këtë organizëm. Kreu i këtij dikasteri, Ridvan Bode ka zhvilluar një takim me stafin e tij, nga i cili ka kërkuar jo vetëm respektimin e afatave të parashikuara por edhe cilësi në përgjigje. “Ministria e Financave ka kapitujt më të rëndësishëm, një numër shumë më të madh pyetjesh, plotësimi në kohë dhe i saktë i të cilave do të kushtëzojë vetë cilësinë e pyetësorit në tërësi. Ministria e Financave kordinon dhe merr pjesë në të gjtha grupet e punës së pyetësorit dhe kontributi i stafit të Ministrisë së Financave në cilësinë e përgjigjeve edhe për institucionet e tjera është thelbësor. Cilësia e përgjigjeve është më e rëndësishme se respektimi i afateve strikte të vendosura për plotësimin e pyetësorit ” u shpreh Ministri Bode. Ministri i Financave ka deklaruar se asnjë punonjës i dikasterit që ai drejton nuk do të largohet për festat e fundvitit pa përfunduar pyetësori. Për të dhënë përgjigje sa më cilësore, Bode ka rekomanduar bashkërendim të punës edhe me institucionet e tjera. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›