Historia 12, Tafaj: Teksti ka probleme, do të përpunohet
TIRANE- Teksti i historisë së klasës së 12 dhe lëndë të tjera shoqërore kanë probleme ndaj dhe do të përpunohen. Kështu deklaroi sot Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, gjatë konferencës së fundit për shtyp për vitin 2009. Tafaj ka deklaruar se emrat e atyre që do të marrin përsipër të shkruajnë tekstet do të publikohen më parë nga Ministria dhe do të tregohen shumë të kujdesshëm ëpr faktet që do të jepen. “Të gjitha tekstet e lëndëve shoqërore do të rishpallen për konkurim. Të jeni të sigurtë që nuk ka probleme vetëm teksti i historisë, ka plot tekste të tjera që kanë probleme. Do vendosim në plan të parë autorët, cdo autor, cdo studiues që dëshiron të shkruajë një tekst duhet ta mendojë mirë ” theksoi Ministri i Arsimit. Përsa i përket ligjit për arsimin e lartë , Tafaj theksoi se do të hiqet masteri i nivelit të dytë dhe do të bëhet në formën e masterit profesional. “Do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, sistem Bachelor, master dhe doktoratë , por ne do heqim masterin e nivelit të dytë.” shpjegoi Tafaj. Ministri i Arsimit thekosi gjithashtu se do të merren masa në mënyrë që braktisja e shkollave të jetë zero brenda vitit 2013. (e.n/News24/BalkanWeb)